Kosova

Viti: Babai dyshohet se ka vrarë foshnjën e sapolindur, nëna vdes në spital

Policia pasi është bindur se nëna ka lindur jasht spitalit, ka shkuar për ta kërkuar foshnjën, të cilën e ka gjetur të mbështjell me batanije në përroin e fshatit Letnicë të komunës së Vitisë

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në rajonin e Vitisë nën dyshimin se ka mbytur foshnjën e porsalindur, të gjinisë femërore duke e hedhur në një përroskë, në ujë afër shtëpisë. Sipas Policisë, bëhet e ditur se foshnjën ia kishte lënë në përkujdesje bashkëshortja e tij, nëna e foshnjës, e cila për shkak të përkeqësimit të  gjendjes shëndetësore kishte shkuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Viti për trajtim mjekësor.

Gruaja kishte shkuar në spital, ndërsa raportohet se edhe ajo ka vdekur, pasi është konstatuar se ka pasur lindje jo spitalore.

Policia pasi është bindur se nëna ka lindur, ka shkuar për ta kërkuar foshnjën, të cilën e ka gjetur të mbështjell me batanije në përroin e fshatit Letnicë.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Rasti është duke u hetuar, ndërsa çifti raportohet se janë shtetas të Maqedonisë, të cilët kanë qenë duke banuar në qytetin e Vitisë, rajoni i Anamoravës.