Lajme

Vizat ndërmjet Bosnjës e Kosovës, absurde

Lëvizja e lirë në relacionet Kosovë - Bosnje e Hercegovinë është ashpërsuar sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Aplikimi i vizave konsiderohet absurd

Republika e Kosovës dhe Bosnja e Hercegovina janë dy shtete që kanë dalë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, por që aplikojnë viza reciproke rigoroze ndaj njëra-tjetrës. Madje më vështirë është që të kalohet në vendet e Bashkimin Evropian, se sa të hyhet në këto shtete. Ky reciprocitet ka ardhur si pasojë e mosnjohjes së Kosovës nga Sarajeva zyrtare.

E për të gjetur një zgjidhje të mundshme, në Prishtinë është organizuar një konferencë për të diskutuar lidhur me liberalizimin e vizave midis Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës, organizuar Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në kohën kur në Ballkan vizat vetëm se nuk ekzistojnë, mbajtja në fuqi e një regjimi të tillë ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës, sipas panelistëve në këtë konferencë, paraqet një gjendje sa frustruese, aq edhe qesharake.

Analisti Shkëlzen Maliqi ka rikujtuar që lëvizja e lirë në relacionet Kosovë – Bosnje e Hercegovinë është ashpërsuar sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por, ai ka rikujtuar faktin që as Serbia nuk e njeh Kosovën e pavarur, por liria e lëvizjes është mundësuar me anë të dialogut.

“Është e rrugës që ngjashëm të veprohet edhe përmes dialogut ndërmjet Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, pa nevojën që të futet reciprociteti. Por, tani e kemi reciprocitetin nga njëra anë dhe ngurrimin e vazhdueshëm që Prishtina dhe Sarajeva zyrtare të mbajnë një instancë të dialogut, që do të adresonte këtë problem, i cili çdo ditë e më tepër po bëhet anakron dhe absurd”, ka thënë Maliqi, citon REL.

Sipas Maliqit, vendimmarrja në Bosnje është e shtrirë në tri njësitë kryesore të shtetit, andaj edhe është e vështirë të merren vendime pragmatike.

I një mendimi të përafërt ishte edhe Darko Brkan, kryetar i organizatës, “Pse jo” nga Bosnja. Edhe ai ka thënë se lëvizja e lirë mes dy popujve po pengohet nga vendimmarrjet politike. “Shkaku për një gjendje të tillë mund të gjendet tek vendimmarrja në Bosnje e Hercegovinë, ku një pjesë e bllokadës mundësohet nga vet sistemi, ngase atje është më vështirë të merret një vendim proaktiv, sesa që të bllokohet”, ka thënë Brkan.

Politika në Bosnje, ka vijuar ai, është mjaft e getoizuar. Barrierat e krijuara në lirinë e lëvizjes, u vlerësua se krijojnë vështirësi për bashkëpunim në fusha të ndryshme.

Asja Makareviç, nga Festivali i Filmit të Sarajevës, ka folur për problemet me të cilat ballafaqohen artistët nga Kosova për pjesëmarrje në ngjarje të ndryshme që organizohen.

Sipas saj, për pjesëmarrje në ngjarje nga fusha e artit, artistët nga Kosova duhet të planifikojnë udhëtimin për në Sarajevë një muaj më herët, për shkak të procedurave.

Mospjesëmarrjen e artistëve nga Kosova në ngjarje të tilla si Festivali i Filmit në Sarajevë, për shkak të vizave, e ka cilësuar si humbje të madhe drejtoresha e Festivalit të Filmit Ndërkombëtar në Prishtinë, Vjosa Berisha.

“Nuk mund të mos e përmendi momentin kur ishte premiera e filmit “Kukumi” në Sarajevë. Atë ditë një pjesë e aktorëve është dashur ta kalojnë gati se tërë natën në kufi në Republika Srpska, sepse kufiri mbyllej në orën 20:00, e ata nuk patën mbërri me kohë. Vizat nuk kanë qenë të zgjidhura, është dashtë të rregullohen në kufi, kështu që këto janë ato problemet që trajtohen”, ka thënë Berisha.