Lajme

Vjedh veturën në Zvicër, arrestohet në Kosovë

Një person i cili ishte duke u kërkuar nga Interpoli  për vjedhjen e  një veture të tipit Audi A5 në Zvicër dhe që më pas e kishte sjellë në Kosovë, gjegjësisht në Prizren është arrestuar sot nga Policia e Kosovës.

Lajmi për arrestimin e të dyshuarit është konfirmuar edhe nga zëdhënësi për rajonin e Przrenit, Hazir Berisha. Ai ka deklaruar se Policia e Prizrenit ka bërë arrestimin dhe personi i dyshuar i dyshuar i është dorëzuar njësisë së Prishtinës për procedura të mëtejme, ndërsa vetura Audi A5 është sekuestruar.

“Personi i dyshuar është nga Prizreni. Vjedhja është kryer në Zvicër, e ka marrë veturën në mirëbesim apo e ka marrë makinën e nuk e ka paguar borxhin krejt, atë nuk e di saktësisht. Por kryesisht pa vetëdije apo pa vullnetin e personit, i dyshuari e ka marrë veturën, në Zvicër dhe ka ardhur në Kosovë”, ka thënë Berisha, raportojnë mediet kosovare, përcjell “albinfo.ch”.

Zëdhënësi Berisha ka thënë se rasti ishte hapur nga Interpoli i Zvicrës të cilët kishin kërkuar nga Policia e Kosovës për ta kryer operacionin e arrestimit të personit të dyshuar.