Kuriozitete

Volkswagen dënohet me 1 miliard euro

Shkaku i skandalit me emetim të gazit, prodhuesi i veturave Volkswagen është pajtuar që ta paguajë gjobën prej një miliard eurosh në Gjermani. Ky skandal kishte ndodhur para tre vitesh, pra më 2015, shkruajnë mediat ndërkombëtare.

Është zbuluar se kompania kishte mashtruar në testet e motorëve dizel në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropë, dhe se më shumë se një milion vetura janë prekur vetëm në Britani të Madhe, përcjell albinfo.ch.

Prokurori publik i Braunschweig lëshoi një urdhër administrativ kundër Volkswagen-it të mërkurën, që ata ta paguajnë dënimin maksimal prej pesë milionë eurosh, dhe 995 milionë eurosh për “dorëzim të përfitimeve publike”.

Kjo i referohet kthimit të parave të përfituara përmes mënyrave ilegale ose jo etike.

Ky ishte një nga dënimet më të rënda për një kompani gjermane.