CH-Ballkani

“Vota e diasporës është më reale, pasi që ajo nuk mund të blihet!”

albinfo.ch ka marrë mendimet e aktivistëve politikë dhe të shoqërisë civile, shqiptarë me qëndrim në Zvicër lidhur me zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë dhe pjesëmarrjene diasporës në to

Zgjedhjet e parakohshme për Parlamentin e Kosovës, që u caktuan të mbahen më 11 qershor, me afatin kaq të shkurtë për organizim paraqesin një sfidë për organizuesit e tyre dhe për qytetarët e Kosovës. Por çka mund të thuhet në këtë rast për ata qytetarë kosovarë me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit? A janë ata dyfish të sfiduar? Fillimisht, me neglizhimin dhe injorimin që u është bërë “tradicionalisht” duke u nxjerrë njëqind pengesa në rrugën e realizimit të të drejtës së votimit dhe tash edhe me afatin super të shkurtë brenda të cilit ata janë të detyruar të regjistrohen dhe pastaj të votojnë.

Lidhur me këtë, albinfo.ch ka marrë mendimet e aktivistëve politikë dhe të shoqërisë civile, shqiptarë me qëndrim në Zvicër.

Pal Shtufi: Zgjedhje të parakohshme por jo të papritura

Pal Shtufi, pedagog, publicist: Zgjedhje të parakohshme janë, por jo të papritura, do të thosha unë. Ato/ata që janë dinamikë e syçelë në politikë, për këto zgjedhje është dashtë të përgatiteshin së paku qe dy muaj, sepse ka dy muaj që dihej e shihej kjo punë. Tani arsyetimet nuk pinë ujë. Pastaj, partitë që e menduan reformën brenda tyre, ka kohe që i hapen dyert për prurje të reja, ndërsa ato tjerat, të cilave u mjafton vetvetja, e vazhduan avazin e vjetër, duke u vetëkënaqur me „llajka“ jaranësh. Diaspora nuk është „eksteritorium“për ta pyetur e trajtuar në mënyrë speciale. Natyrisht, diaspora duhet të marrë pjesë në zgjedhje dhe fjalën bojkot as që duhet përmendur njeri. Me rëndësi është që në Prishtinë ranë dakord partitë politike dhe kaq na duhet edhe ne në diasporë.

Njomëza Gutaj: Vota e diasporës është e pavarur, ajo nuk blihet!

Njomëza Gutaj, ekonomiste dhe aktiviste politike: Jo vetëm afati i shkurtër është pengesë për diasporën por edhe mungesa e organizimit te votimeve në diasporë nga Republika e Kosovës, gjegjësisht përfaqësitë e saj konsullore dhe ambasadat. Duke anashkaluar obligimin që ka, shteti i Kosovës i lë të vetmuar qytetarët e vet anembanë botes! Ata qytetarë të cilët me kontributet e tyre financiare e mbushin mbi 1/4 e arkës shtetërore, shprehet Njomëza Gutaj për albinfo.ch.

Ndërsa lidhur me atë se a duhet të votojë diaspora apo jo, ajo nuk ka dilemë. “Vota e diasporës është shumë e rëndësishme sepse është e pavarur dhe nuk blihet. Diaspora e ka për detyrë morale dhe qytetare ta shfrytëzojë afatin, sado i shkurtër që të jetë. Me këtë vepër ajo dëshmon përgjegjësinë dhe kontributin e saj ndaj të ardhmes së atdheut të vet. Me kontributin e saj financiar, jo vetëm qe merr detyrën e shumë institucioneve sociale të Kosovës por edhe është e pavarur në ndërtimin e mendimit të saj. Vullneti madh i diasporës tregohet me pjesëmarrje në iniciativa të ndryshme. Për shembull, të shtunën e ardhshme qytetarët e Kosovës në kantonin e Cyrihut do të kenë mundësi të regjistrohen për zgjedhje. Kjo do të bëhet paralelisht në Cyrih, te Pestalozzie-Anlage dhe ne Dietikon, te Kirchplatz.

Përparim Avdili: Zgjidhja më e mirë, ulëset e rezervuara për diasporën në kuvend

Përparim Avdyli, nëpunës banke dhe politikan: “Mënyra e regjistrimit të diasporës për pjesëmarrje në zgjedhjet e 11 qershorit nuk më jep përshtypjen që diaspora po përjashtohet. Institucionet e Kosovës e kuptojnë rëndësinë e përfshirjes së diasporës në zgjedhje. Po krijohet një mundësi për pjesëmarrje. Natyrisht që do të ketë afat regjistrimi, procedurë të caktuar, e cila s’ka të bëjë me diasporën, por me faktin që janë zgjedhje të parakohshme, gjë që automatikisht e ngjesh agjendën e çdokujt”, thotë Avdili për albinfo.ch.

Lidhur me pjesëmarrjen e mërgatës në zgjedhje ai e konsideron këtë çështje personale të secilit, ndërkohë që shpreh mendimin se Kosova do të duhej të kishte ulëse të rezervuara për mërgatën. “Mërgata, e cila gjatë viteve ka qenë dhe është e përfshirë në proceset e shumta të shtetësisë së Kosovës, edhe këtë herë e ka mundësinë të japë opinionin e saj më 11 qershor. Partitë që garojnë kanë mënyra të ndryshme se si përfshijnë mërgatën në fushatë, qoftë përmes tubimeve të ndryshme apo dhe me kandidatë që jetojnë në diasporë. Dihet që secila parti ka lidhjet e ngushta me diasporën shqiptare, si rrjedhojë e lidhjeve familjare e shoqërore të qytetarëve. Çdo qytetar duhet ta mendojë vet nëse merr pjesë në zgjedhje, por ky vendim s’mund të merret në bazë të faktit se ku jeton. Siç e kam thënë edhe disa herë më parë, në rastin e Kosovës zgjidhja më e mirë për përfaqësimin e diasporës, do të ishin ulëset e rezervuara në kuvend. Kjo për faktin që mërgata bën një numër të konsiderueshëm të votave, në raport me numrit të përgjithshëm të qytetarëve. Në këtë rast përfshirja e diasporës do bëhej edhe më intensive dhe frytdhënëse”.