Kosova: vota e diasporës

Votuesit nga diaspora rrezikojnë të mbesin pa votuar

Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nuk u ka ofruar mundësitë e duhura që të aplikojnë për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 qershorit

Në prag të zgjedhjeve në Kosovë më 11 qershor, një problem shumë i madh është shfaqur me diasporën shqiptare, dhe procedurat e shumta për të marrë pjesë në votime.

Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nuk u ka ofruar mundësitë e duhura që të aplikojnë për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 qershorit.

Albert Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se KQZ-ja nuk ka adresuar siç duhet kërkesat dhe interesimin e mërgimtarëve për të qenë pjesë e procesit zgjedhor. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka zhvilluar një fushatë të mirëfilltë për t’i informuar votuesit nga jashtë, e as nuk është përgatitur që t’i pranojë kërkesat. Por, ka pasur probleme të cilat nuk janë adresuar siç duhet nga KQZ-ja”, ka thënë ai.

Më 22 maj, ka përfunduar afati për regjistrimin e votuesve të mërgatës, të cilëve, sipas Ligjit për zgjedhje u mundësohet e drejta e votës edhe pse jetojnë jashtë vendit. Periudha e aplikimit ka qenë nga 15 deri më 22 maj, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 700 mijë qytetarë të Kosovës, përfshi dhe ata që nuk kanë të drejtën e votës, jetojnë në vende të ndryshme të botës.

Edhe zyrtarët e Ministrisë së Diasporës kanë pranuar se ka pasur telashe sa i përket regjistrimit për të votuar të diasporës shqiptare.


 Të tjera nga Kosova: vota e diasporës