Kosova

Vrasje dhe plagosje në qendër të Prishtinës

Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e para të së premtes në qendër të Prishtinës, në rrugën “Fehmi Agani”, ka pasur të shtëna me armë zjarri, që si pasojë kanë lënë të vrarë një person dhe një tjetër është plagosur.

Sipas njoftimit nga Policia, të shtënat kanë ndodhur rreth orës 02:30, ndërsa menjëherë pasi policia kishte marrë informatat kishte dalë në vendin e ngjarjes për hetime dhe ekzaminimin e vendngjarjes, transmeton Albinfo.ch.

Me të arritur te vendi i ngjarjes, policia kishte konstatuar se ishin plagosur: N.S. 33-vjeçar, mashkull, shtetas kosovar dhe R.C. 19-vjeçare, femër, shtetase kosovare (e lënduar lehtë).

Të dy ishin dërguar në QKUK, por plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit nuk u ka mbijetuar N.S, që ka vdekur rreth orës 04:00.

Policia po ashtu ka njoftuar se ka arritur të identifikojë një të dyshuar dhe ka thënë se po punon në arrestimin e tij.

Rastin e ka cilësuar si vrasje të rëndë.