Shqipëria

Vrasjet që tronditën Shqipërinë në dekadat e fundit

Këta janë vetëm disa prej rasteve më të bujshme kur krimi ka prekur familjet shqiptare, apo dhe kur janë hapur njëherësh disa varre, por edhe ngjarje të tjera ku viktimat kanë qenë kryesisht gra kanë tronditur në kohë të ndryshme mbarë opinionin publik

E premtja e zezë e 10 gushtit, kur Ridvan Zykaj shfarosi dy familje dhe hapi me një breshëri kallashnikovi tetë varre nuk është e vetmja ditë, kur Shqipëria gulçon nga dhembja e krimeve makabër, që lënë pas jo vetëm viktima të shumta, por edhe topitje, çmeritje, e revoltë në opinionin publik, shkruan ‘abcnews.al’.

Sa herë që shuhen familje, shumë kujt i shkon mendja tek një ndër krimet më të rënda të fillim viteve ’90.

Ishte 29 maji i 1992 kur në Libofshë të Fierit, dy vëllezërit Ditbardh dhe Josif Çuko, hyjnë në banesën e familjes Pupa dhe vrasin pesë pjesëtarët e një familjeje, duke përfshirë edhe një foshnjë, përcjell albinfo.ch.

Vrasja ndodh për motive grabitje, por edhe hakmarrje, për motive të dobëta. Dy autorëve të krimit i priti litari më 26 qershor në 1996, duke u bërë personat e fundit të dënuar me vdekje në Shqipërinë postkomuniste.

Më pas një serial i gjatë krimesh përfshin dhe trondit Shqipërinë në vitin e mbrapshtë 1997, kur nuk kishte nevojë për arsye për të shuar familje, grupe kriminale mes njëri-tjetrit apo dhe efektivë policie siç ishte rasti i masakrës së Levanit ku humbën jetën mbi 20 persona, si dhe ajo e Cakranit ku u vranë gjashtë gardistë dhe u plagosën 22 të tjerë.

9 SHKURT 2006

Në fshatin Kozarë të Kuçovës, gjenden të pajetë në banesën e tyre tre pjesëtarët e një familje, kryefamiljari, gruaja e tij shtatzënë dhe djali i tyre 3 vjeçar. Për këtë krim është arrestuar vëllai i viktimës, por ai nuk e ka pranuar krimin.

7 MARS të vitit 2009

Në lagjen “Allias” në Tiranë regjistrohet një vrasje e trefishtë. Dhëndri vret me pistoletë vjehrrin, vjehrrën dhe pasi plagos edhe djalin e tij 16-vjeçar vret veten. Sipas policisë, shkak ka qenë grindja në familje.

1 SHKURT 2010

Arrestohet vrasësi i tre vëllezërve Mulliri

Në fund të janarit të 2010 një breshëri automatiku u shkreh mbi tre vëllezërit Mulliri në fshatin Vidohovë të Devollit. Të vdekur mbetën Taulant, Xhiliani dhe Edi Mulliri. Autori i ngjarjes Besim Karaj besonte se kishte zbuluar një lidhje jashtëmartesore të gruas me më të madhin e vëllezërve ndaj nuk ia kurseu plumbat as të tjerëve. Vëllezërit Mulliri kishin ndërkohë nënën në burg. Liljana Mulliri kishte vrarë e copëtuar nipin 8 vjeçar të burrit më të cilin kishte një lidhje jashtëmartesore.

19 MARS 2011

Tre persona të së njëjtës familje janë vrarë dhe një është plagosur, në Elbasan. Një person ka hyrë në banesën e familjes Mahmuti dhe ka vrarë tre burrat e familjes. Viktimat janë Emin, Xhelal dhe Pëllumb Mahmuti, ndërsa i plagosur ka mbetur një anëtar tjetër i familjes, një femër, Myzejen Mahmuti, krimi u dyshua se ndodhi për hakmarrje.

7 GUSHT 2012

Jo më pak tronditës ka qenë dhe një krim i ndodhur në Poliçan të Skraparit, më 7 gusht të vitit 2012, kur roja i fabrikës vret shefin e vet dhe më pas veten. Më pas vëllai i të vrarit dhunoi kufomën e vrasësit.

11 TETOR 2012

Pak muaj më vonë, më 11 tetor të 2012 në Xhafzotaj të Durrësit, gjendet trupi pa kokë i një 18 vjeçareje. Autori rezultoi të ishte 80-vjeçari Shaban Norja, i cili pasi ka vrarë studente 18 vjeçare me të cilën kishte një lidhje sentimentale dhe e kishte lënë shtatzënë e i preu kokën. Vajza sipas të moshuarit ia kishte kërkuar vetë që ta vriste. Vendi shushatet nga makabriteti dhe skenari i ngjarjes.

11 DHJETOR 2012

Dy muaj më vonë, më 11 dhjetor të vitit 2012 në Orikum të Vlorës një burrë masakron me sqepar gruan shtatzënë dhe për dy net fle në shtëpi duke patur kufomën aty.

31 JANAR 2013

Në fund të janarit të vitit 2013 në Elbasan babai vret djalin dhe nusen e tij italiane pas një debati lidhur me mënyrën e jetesës dhe pronësinë e shtëpisë.

23 SHKURT 2013

Një tjetër krim tronditës me disa viktima në familje regjistrohet në Levan të Fierit në 16 shkurt të 2013 kur Riza Latifi ka vrarë vjehrrin, vjehrrën, ka plagosur bashkëshorten dhe një javë më vonë vrau dhe veten pasi u rrethua nga policia.

28 KORRIK 2013

Vera e 2013-ës u përgjak në plazhin e Ujit të Ftohtë në Vlorë, kur një 18-vjeçar, me 28 korrik ekzekutoi me breshëri automatiku tre pushues. Sipas policisë, autori i arrestuar do të qëllonte disa të rinj me të cilët kishte patur konflikt, por gabimisht vrau tre pushues, mes të cilëve edhe një grua.

8 JANAR 2014

Katër të vrarë është bilanci i masakrës me armë që Bashkim Latollari kreu mbrëmjen e 8 janarit të 2014 në Gjonomadh të Korçës. 40-vjeçari, vrau dy çifte bashkëshortësh, të afërm mes tyre.

Viktimat ishin Belimon dhe Daniela Meçollari, 31 dhe 30-vjeç dhe Rexhep e Valentina Metollari, 55 dhe 50-vjeç. Vrasja e katërfishtë u konsiderua si krim pasioni.

Ndërsa më 23 mars të 2014 opinioni publik u trondit nga vrasja e një 15 vjeçareje në Kurbin. Autore e krimit ishte e ëma, e cila më pas vrau veten.

29 MAJ 2014

Një krim tjetër i ngjashëm ndodhi më 29 maj të vitit 2014 edhe në fshatin Sllatinë të komunës Sllovë në Dibër, kur babai vrau të bijën 21-vjeçare me tetë plumba. E reja ishte shtatzënë në muajin e pestë.

4 NËNTOR TË VITIT 2014

4 nëntori i 2014 u zbardh i përgjakur nga katër viktimat e shkaktuara nga Kostandin Xhuvani. Ngjarja e ndodhur në një lokal në rrugën e Elbasanit në Tiranë i kushtoi jetën Enea Xhajit, Edison Jahos, Arbër Demirajt, Xhanpaolo Azolos. Xhuvani po vuan dënimin me 35 vjet heqje lirie.

18 GUSHT 2016

Jorgo Zani, një i sëmurë mendor në Palasë të Himarës vrau dhe masakroi një fëmije 12 vjeçar, të cilin e kishte kushëri. Vogëlushi kishte ardhur nga Greqia për të kaluar pushimet. Zani pak pas krimit ndërroi jetë në spitalin e burgut në Fushë-Krujë ku kreu vetëvrasje.

3 DHJETOR 2016

Ferdinand Ruko 52 vjeç nga Fieri, pasi e rreh dhe e zhvesh lakuriq bashkëshorten e tij Liljana Ruko, 43 vjeç, e hedh nga dritarja duke i shkaktuar vdekjen. Gruaja kishte kërkuar urdhër mbrojtje nga burri i dhunshëm.

5 DHJETOR 2016

Naum Toshi, 41 vjeç në qytetin e Korçës ka mbytur tre fëmijët dhe më pas është vetëvarur në shtëpinë e vet, pas braktisjes që bashkëshortja i kishte bërë familjes.

25 TETOR 2017

Në 25 tetor të vitit të kaluar në lagjen Palorto të Gjirokastrës Apostol Kosta ekzekuton Aleks dhe Afërdita Kostën, më pas tenton vetëvrasjen. Ngjarja e rëndë erdhi pas një konflikti për çështje pronësie.