Kosova

Vuçiq thotë në Kosovë se  do të shkëmbejmë informacione për vrasjen e Ivanoviqit

Ai ka theksuar se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë është që të bisedojë me serbët edhe për sigurinë, pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, si dhe për atë se cilat organe ua garantojnë sigurinë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili po qëndron në Kosovë me lejen institucioneve kosovare ka deklaruar se dy vendet do të japin gjithçka nga vetja për ta ruajtur paqen.

Vuçiq i ka porositur serbët e Kosovës se duhet të mbesin dhe mbijetojnë në vatrat e tyre, duke thënë se për këtë do t’i ndihmojë shteti i Serbisë.

“Nuk guxohet që të jemi më pak në territorin, në vendin ku kemi jetuar gjithmonë dhe për këtë arsye, si shtet do të luftojmë në të gjitha mënyrat”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka theksuar se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë është që të bisedojë me serbët edhe për sigurinë, pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, si dhe për atë se cilat organe ua garantojnë sigurinë. Presidenti serb ka vendosur kurora me lule në vendin e vrasjes së politikanit Ivanoviq. Ai do të vizitojë gjatë ditës edhe Graçanicën.