Uncategorized

VV nuk ka fituar asnjë komunë

Sipas rezultateve të numëruara nga Komisioni Qendror Zgjedhor deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka fituar asnjë komunë.

Por, Lëvizja Vetëvendosje shkon në balotazh në gjashtë komuna të Kosovës: Prishtinë, Podujevë, Gjilan, Kamenicë, Kaçanik dhe Prizren, raporton televizioni publik i Kosovës.

Në Prishtinë, Shpend Ahmeti  nga Vetëvendosje shkon në balotazh me Arban Abrashin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Me LDK-në, Vetëvendosje shkon edhe në Podujevë. Agim Potera do të shkojë në balotazh me Agim Veliun e LDK-së i cili nga rezultatet e procesuara deri më tani prin bindshëm.

Në Gjilan do zhvillohen zgjedhjet edhe njëherë mes Sami Kurteshit dhe Lutfi Hazirit të LDK-së. Ky i fundit është në avantazh ndaj Kurteshit.

Balotazhi në Kamenicë është në mes të Qëndron Kastratit dhe Shaip Surdullit të LDK-së.

Ndërkohë, në Prizren, lëvizja Vetëvendosje shkon në balotazh me PDK-në, ku do përballen edhe njëherë Shqair Totaj dhe Mytaher Haskuka.

Ndërsa, në Kaçanik, Besim Ilazi nga PDK dhe Basri Kodra nga LVV.

Rezultatet janë duke u numëruar dhe ende Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka dalë me rezultatet përfundimtare, andaj mund të ketë zhvillime tjera.

Në Vushtrri ende janë votat duke u numëruar. Edhe në këtë komunë pritet të ketë balotazh.