Film

Alban Muja

Artist

Të dielën e kaluar në Schlosstheater të Münsterit është prezantuar me videofilmat e tij artisti nga Prishtina Alban Muja. Përkundër strukturave ekzistuese shtetërore që ka Republika e re e Kosovës, një shtet me status të kontestuar ndërkombëtar, pasaporta e saj nuk njihet nga të gjithë. Kështu, edhe Alban Muja ndjehet si njeri pa shtet. Ai e përpunon ketë gjendje në filmat e tij që kanë të bëjnë me identitetin dhe prejardhjen. Në Gjermani, gjegjësisht në Münster, ai ndodhet me ftesën e Filmclub Münster dhe shoqatës Förderverein Aktuelle Kunst (FAK).

Shpërthime të qeshurash ka shkaktuar filmi 33 minutash i Albanit me titullin “Blue wall red door” (muri i kaltër, dera e kuqe). Filmi tregon në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë se sa e vështirë është në vendlindjen e tij, në Prishtinë, të gjenden adresat e kërkuara të njerëzve. Kjo për faktin se shpesh nuk ka emra rrugësh, por  edhe kur ato ekzistojnë, ndryshohen në vazhdimësi, varësisht nga orientimi politik ose kulturor, shkruan gazeta Westfallische Nachrichten.

Për këtë arsye edhe taksistët, zjarrfikësit dhe mjekët, ballafaqohen me po këtë problem. Prandaj ata detyrohen të orientohen përmes shenjave dalluese si ndërtesave që bien në sy, shitoreve, restoranteve ose vendeve ku banojnë personalitetet e famshme të qytetit. Kështu, ata ngasin makinat me hamendje në drejtime të përafërta.  Ata nuk mund të jenë kurrë krejtësisht  të sigurt nëse atje është pikërisht adresa e dëshiruar. Diçka vërtetë e mbrapshtë.

Regjisori Muja e porosit një taksi për të shkuar te një mulli. Taksisti e dërgon atë te një ndërtesë banimi. As gjurmë mulliri nuk ka aty. “Ai është shkatërruar në luftë, por ne vazhdojmë ta quajmë këtë rrethinë sipas mullirit”, thotë një kalimtar.

Tre filma tjerë të shkurtë merren me pagëzimin e të porsalindurve  në Kosovë. Me kamerë statike ai ka filmuar tre veta të ulur në një sofa duke u qëndruar atyre pranë, pa pasur asnjë skenar. Aty, njëra vajzë e re thotë se asaj ia kishin lënë emrin Palestina, pasi që nëna e saj kishte qenë e impresionuar nga një atentatore e re palestineze, e cila në shenjë hakmarrjeje për vdekjen e më të dashurit, kishte konstruktuar një autobombë. Ndërsa i riu mban emrin Tibet, pasi që prindërit e tij kishin dashur të tregonin solidaritet me Tibetin.

Në filmin “Free your Mind”, Muja i kalon përmes një “ekzorcizmi intelektual”  të gjitha ndikimet artistike për të treguar një “un” të tij të pastër. Në këtë vazhdë ai përmend për minuta të tëra emra të shumtë artistësh të njohur.

Alban Muja vlerëson lartë objektivin autentik të kamerës së tij, ka një ndjesi sizmike për njerëzit dhe rrëfimet e tyre. Kështu ai ia ka dalë të realizojë dokumentarë që e sjellin afër përditshmërinë e Kosovës, edhe kur kjo ngjan aq e mbrapshtë.

Ky demonstrim i filmave ka qenë një zëvendësim për ekspozitën e Alban Mujës, të anuluar për shkaqe kursimi.

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriAlban Muja
  • Prejardhja:Mitrovic-Kosovë
  • Vendi ku vepron: Prishtinë-Kosovë
  • Profesioni:Artist
  • Kontakti albanmuja.blogspot.com

  WHO’S WHO të tjera