Muzikë

Amir Gashi

DJ

Ëndrra ime më e madhe është që një ditë të “gërvisht pllakat”  si DJ Double A në Ultramusic Festival. Muzika elektronike është jeta ime. Pa të, unë nuk do të dija se mund të bëja gjë tjetër. Sepse, tek unë gjithçka ndodh në kokë.

Kam lindur 18 vite më parë me sëmundjen Duchenne-Muskeldystrophie. Kjo është një sëmundje te e cila muskujt dobësohen dhe me kohë humben. Pasi që edhe xhaxhai im vuante nga kjo sëmundje, mua më kanë testuar menjëherë pas lindjes. Kështu, ne e dinim që nga fillimi se për çka ishte fjala. Pastaj kur unë i mbusha 6 vjet dhe fillova të humbja aftësinë e të ecurit, për mua nuk ishte diçka shumë dramatike. Thjesht, çdo gjë ndodhte ngadalë dhe bëhej keq e më keq. Tashmë unë mund të lëviz lehtë vetëm nga dy gishta në të dy duart dhe fytyrën.

Kur mbërrina në pubertet, për herë të parë u vetëdijesova se unë jam i ndryshëm. Aty e kuptova përse kaq pak njerëz interesohen për mua. Një kohë të gjatë isha i pikëlluar dhe i zemëruar me fatin tim. Mirëpo unë me kohë kam mësuar të kërkoj ndihmë dhe të pranoj se jeta ime është kështu si është.

Nga viti i kaluar jetoj në Cyrih në Mathilde Escher Heim, kui po e ndjek profesionin për mediamatiker, një lloj dizajneri elektronik. Më pëlqen shumë dhe më përshtatet: që prej moshës 8 vjeçare unë merrem intensivisht me kompjuterë. Unë nuk mund ta paramendoj se si do të ishte jeta ime nëse do të isha detyruar të jetoja me këtë sëmundje në ndonjë kohë të mëhershme. Mbase, vetëm do të qëndroja ulur. Sot, me teknologjinë moderne unë mund të lëviz goxha i pavarur.

Falë mausit të kompjuterit dhe levës në karrocën time invalidore unë mund ta bëj muzikën time dhe mund edhe të dal vetë në lokale argëtimi. Aktualisht shkoj me shumë kënaqësi në klubin “Kaufleuten”. Njerëzit atje tashmë më njohin. Ata janë shumë korrektë me mua dhe më ndihmojnë, për shembull, kur dua të pi ndonjë lëng.

Sapo ta përfundoj shkollën do të përqendrohem i tëri vetëm në muzikë. Unë edhe tash komunikoj me shumë njerëz nga skena muzikore në vend dhe jashtë vendit dhe lexoj shumë blogje muzikore lidhur me këngët dhe zhvillimet e reja. Do të gëzohesha shumë sikur të kisha një dhomë vetëm për vete. Momentalisht unë e ndaj dhomën me një koleg timin shumë të mirë dhe natyrisht më duhet të kem kujdes (me muzikën). Por së shpejti unë do të mund të bëj muzikë gjatë gjithë kohës.

Duke bërë muzikë i jap shumë rëndësi që tingulli im të jetë vërtetë i paprovuar më parë. Ai duhet të rrjedhë, të tregojë një rrëfim që të bind.

Do të ishte vërtetë super që një ditë t`ia dal të marr pjesë në Ultramusic Festival! Njerëzit gjithmonë thonë se duhet të kërkoj ndihmë në fondacionin “Sternschnuppe”. Por unë nuk e di tamam. Më me dëshirë do të provoja ta arrij këtë me forcat e mia, duke i bindur të tjerët me muzikën time.

Kur njeriu dëshiron të arrijë diçka, ai duhet të punojë fort. Për këtë arsye unë bashkë me dy kolegë nga shtëpia ku banoj do të udhëtoj për në Miami në festivalin në fjalë. Ne organizojmë gjithçka. Ne po kërkojmë vetë njerëz kujdestarë dhe sponsorë që t`ua paguajmë rrugën kujdestarëve tanë. Po ashtu po bisedojmë me kompani ajrore lidhur me karrocat tona speciale.

Më së shumti kam frikë për atë se si do të bëhet kur unë, pas tre ose 4 vitesh nuk do të mund të lëviz më asnjërin gisht. Por unë kam besim se teknika deri atëherë do të përparojë dhe do të më krijojë mundësi të reja.

Është bukur që prindërit e mi së shpejti do të shpërngulen nga Grencheni në Cyrih, që të jenë më afër meje, veç kësaj, ka mundësi që dy shokët e mi më të mirë të fillojnë studimet këtu. Kështu do të kemi mundësi të shihemi më shpesh. Do të ishte super. Sepse unë për ta jam thjesht njeri normal.  Gjë që unë pikërisht po e dëshiroj. Shumë njerëz që më shohin, në mënyrë automatike më konsiderojnë si të hendikepuar mentalisht  dhe kjo nganjëherë është e vështirë. Por unë kam mësuar tashmë që asgjë të mos më shqetësojë. Përveç, ndoshta, njerëzit e shëndoshë që nuk duan të punojnë edhe pse kanë mundësi ta bëjnë këtë. Shqetësim tjetër janë luftërat e shumta në botë. Unë, thjesht nuk arrij ta kuptoj përse njerëzit ia bëjnë këtë njëri-tjetrit. Kjo vërtet nuk ka kuptim.

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriAmir Gashi
  • Vendi ku vepron:Cyrih-Zvicër
  • Profesioni:DJ
  • Kontakti [email protected]

  WHO’S WHO të tjera