Kulturë

Arbanita Avdija

Këngëtare

Sërish një shqiptare nga Berna në mesin e më të mirëve në një spektakël të madh zviceran garash të këndimit. Pas Edita Abdieskit (Abdiu), Albana Azizit dhe Lira Gashit, në dyert e sukseseve në skenën muzikore po troket edhe një këngëtare me potencial të madh.

Kësaj radhe është 15 vjeçarja Arbanita Avdija, e cila me zërin e saj të mrekullueshëm dhe me interpretimin bindës ka siguruar vend në mesin e më të mirëve, që do të garojnë në gjysmëfinalen e spektaklit “Die grösste Schweizer Supertalente”. Ajo, më 25 shkurt në Kreuzlingen do të këndojë së bashku me moshatarin e saj zviceran Nico Minnig, me shpresën se do të zgjidhen në finale.

 

Familja Avdija

Por, kush është Arbanita, çfarë e dallon atë nga mijëra moshataret e saj që dëshirojnë të këndojnë? Arbanita Avdija është vajza e Nexhmedin dhe Hamide Avdiut nga Mikushnica-Komuna e Skënderajt. Ajo është lindur në Grantschen-Weinsberg të Repubilkës së Baden-Württenbergut të Gjermanisë, në vitin 1996. Katër vite më vonë, familja e saj u shpërngul në Belp, një qytezë e vogël e Kantonit të Bernës, në Zvicër. Ndodhi kështu sepse babai i saj gjeti punë në Klinikën e Ortopedisë të Fakultetit të Mjekësisë –Inselspital, në Bernë. Ai punon sot si instruktor i Kirurgjisë në Inselspital Bern dhe docent i Kirurgjisë Maxillofaciale dhe Otorinolaringologjise në Medizentrum në Wankdorf.

Nëna e Arbanitës punon në Spitalin e Münsingenit, si asistente medicinale ndërsa vëllai, Ariani 18 vjeçar, është nxënës i vitit të dytë të shkollës së mesme të mjekësisë.

Arbanita ka kryer shkollën fillore në Belp. Gjatë gjithë kohës ajo, krahas mësimit e kishte gjithherë pasion muzikën. Në shkollën e Muzikës Gürbetal për tre vjet me radhë mori mësimet për piano, te mësuesja Annemarie Schürch.

Deri më tash, Arbi, siç e quajnë shkurt, ka pasur shumë herë rastin të tregojë talentin e saj në manifestime të ndryshme. Janë shumë aktivitete të komunitetit shqiptar që organizohen këtu në Zvicër me rastin e kremtes së Vitit të Ri pastaj Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Kosovës ku ajo ka kënduar dhe ka rënë në sy me talentin e saj të veçantë.

Arbi dhe Nico

Por, Arbanita, me gjithë moshën shumë të re, tashmë ka një bagazh të pasur suksesesh edhe në gara të ndryshme për këngëtarë, në regjionin ku jeton dhe më gjerë. Kështu ajo me “Tanzgruppe Breakthrough” në garën e quajtur Kampionati i Zvicrës Veriore, të mbajtur në Aarau, ka zënë vendin e dytë; po me këtë grup është shpallur e para në Bernë. Po kështu në garën e talenteve në Kehrsatz, Arbanita në duet me Nico Minnig ka zënë vendin e parë. Në garën lokale “Belp sucht den Superstar” ajo po kështu ka dalë e para. Dhe, lista e sukseseve të Arbanitës nuk përfundon me kaq. Ajo, duke luajtur rolin kryesor në mjuziklin “The Pirates” në Belp ka fituar tashmë edhe përvojën e shfaqjeve më komplekse muzikore.

Muzika e preferuar e Arbanitës është soul, RnB dhe jazz por e kultivon edhe muzikën shqipe. Nga këngëtaret e skenës botërore adhuron Beyonce, ndërsa nga shqiptaret, Dafina Zeqirin.

Duke qenë se ajo është dëshmuar shumëfish me talentin e saj për këndim dhe ka një shkollim bazik muzikor, Arbanita mendon se muzika do jetë edhe profesioni i saj në të ardhmen.

Aktualisht, kurorëzimi i sukseseve të saj të deritashme për Arbanitën është sigurimi i pjesëmarrjes në gjysmëfinalen e garës “Die grösste Schweizer Supertalente” (Supertalentet më të mëdhenj zviceranë”. Më 25 shkurt në Kreuzlingen, Arbanita dhe Nico do të japin gjithçka nga vetja për të siguruar finalen. Por sigurisht, për të bërë këtë hap gjigant atyre u duhet edhe ndihma e jonë.

Prandaj, ajo lut të gjithë shqiptarët dhe miqtë e tyre nga Zvicra, Gjermania, Austria, Franca dhe Italia që më 25 shkurt të telefonojnë dhe të dërgojnë sa më shumë sms-a në adresë të këngës së saj. Kështu do të ndihmojnë që një shqiptare të sigurojë finalen e Zvicrës të kësaj gare të madhe.

 Biografi e shkurt

  • Emri MbiemriArbanita Avdija
  • Prejardhja:Grantschen-Weinsberg-Gjermani
  • Vendi ku vepron:Bern-Zvicër
  • Profesioni:Këngëtare