Politikë

Arbër Bullakaj

Politikan/Menaxher

I veshur me kostum, Arbër Bullakaj është ulur dhe pret në kafene. Ai posa ka vizituar disa klientë të firmës së tij të konsultimeve. Në fytyrën e tij bie në sy një dinamizëm i përzier me seriozitet. I riu 27 vjeçar e flet në mënyrë të përsosur dialektin (schweizerdeutsch). Por, ngjyra e mbyllur e lëkurës, flokët dhe sytë e zinj, të bëjnë të konstatosh shpejtë se ai nuk është zviceran nga lindja.

Arbër Bullakaj është i lindur në Kosovë dhe ka ardhur me familjen në Zvicër kur ka pasur tetë vjet. Sot ai gjendet në Parlamentin e qytetit të Wilit dhe synon të bëjë disa ndryshime.

Në këtë parlament, anëtari i SP-së, Arbër Bullakaj është zvicerani i parë me prejardhje të huaj, që ka mundur ta realizojë një sukses të tillë politik. Dhe kjo ka ngjallur reaksione të bujshme në Wil. Sipas njërës palë,  fjala ishte për një rimëkëmbje dhe freskim. Ndërsa për palën tjetër ishte e paimagjinueshme që një ulëse në parlament do t`i takonte një njeriu të lindur në Kosovë.

“Brenda Parlamentit të Qytetit kam marrë shumë reagime pozitive”, thotë Arbër Bullakaj. Gjatë fushatës zgjedhore ai u kishte premtuar zgjedhësve te tij se do të avokonte për integrimin e të huajve dhe për promovimin e të rinjve. Dhe, tash Arbri ua lë veprave vendin e fjalëve.

Ai është bashkëthemelues i shoqatës “Fair Wil”. Synim i organizatës është reduktimi i paragjykimeve dhe vendosja e kontakteve ndërkulturore.

“Por ne synojmë po ashtu që të bëhemi pikë kontakti për çdo preokupim të mundshëm të emigrantëve. Në radhë të parë për plotësimin e formularëve”, thotë Arbër Bullakaj, i cili është dhe bashkëkryetar i shoqatës. Me veprime të tilla, bëhet shumë më tepër se sa një ofrim i thjeshtë shërbimi. Ky është një gjest aktiv për t`i mirëpritur njerëzit  dhe për t`ua krijuar atyre ndjenjën e të qenit në shtëpi të tyre.

Klishenë se pjesa më e madhe e të huajve nuk kanë interesim për tu përfshirë dhe për tu integruar e kundërshton Arbri: “Unë njoh këtu shumë të huaj ashtu si dhe shumë zviceranë. Të gjithë këta munden të jetojnë bashkë me njëri tjetrin dhe jo vetëm krahas njëri tjetrit.

Në një lagje të qytetit Wil, përbërja e të huajve është e lartë ndërkohë që në tjetrin mbizotërojnë të rinjtë zviceranë. Kjo bën pastaj që të mos ketë këmbim multikulturor. “Në raste e tilla është me rëndësi ngritja e urave. Para të gjithëve te rinjtë duhet ta kenë shansin që të mësohen me jetën në një përzierje kulturash të vendeve të ndryshme”.

Por, Bullakaj mbetet realist. Integrimi “nuk mund të bëhet duke detyruar dikë me `çekiç druri` por duhet të arrihet me takt, butësi dhe angazhim”. Te vetë ai, integrimi ka qenë një proces krejtësisht i natyrshëm. Familja e tij mendjehapur i ka lehtësuar atij shumë punë.

“Duhet të jesh i hapur dhe kureshtar për të njohur kultura të reja”.

Arbër Bullakaj është menaxher, politikan dhe idealist. “Është me rëndësi të integrohesh. Por pa e mohuar me ketë rast identitetin tënd”, thotë ai.

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriArbër Bullakaj
  • Prejardhja:Prizren-Kosovë
  • Vendi ku vepron:Will-Zvicër
  • Profesioni:Politikan/Menaxher
  • Kontakti [email protected]

  WHO’S WHO të tjera