Arnold Gjergjaj, pas shumë trofeve në ring, së fundi ka marrë edhe një trofe tëe llojit tjetër. Komuna Pratteln në kantonin Baselland, në të cilën jeton boksieri i shquar, e ka nderuar atë me çmimin për integrim. Për rezultatet e tij të jashtëzakonshme dhe për integrimin e tij shembullor, atij i është dhuruar ylli i Prattelnit (Prattler Stern).
Ky çmim jepet një herë në dy vite dhe ka vlerë monetare prej 10 mijë frangash.
Boksieri 29 vjeçar, i njohur edhe si “Kobra”, ka ardhur në Zvicër si 14 vjeçar. Në karrierën e deritashme të boksit, si profesionist Gjergjaj ka një bilanc të jashtëzakonshëm: 24 luftëra, 24 fitore, shkruan sn.ch.
Por, krahas boksit ai është dalluar me angazhimin e tij për integrim. “Si 14 vjeçar kam ardhur nga Kosova në Pratteln, pa ditur asnjë fjalë gjermanisht. Dhe sot po nderohem. Është çmimi i parë që më është ndarë ndonjëherë këtu. Ky është një nderim i madh për mua”, ka thënë shqiptari nga Kosova.
Boksieri i cili ka ushtruar edhe me Vladimir Kliçkon, ka shtuar se po përpiqet t`i mësojë të rinjtë se me motivacion dhe me punë të rëndë mund t`i arrijnë qëllimet e tyre.