Shkrimtar/e

Jusuf Buxhovi

Historian

Studentët shqiptarë të Cyrihut kanë pasur rastin më 4 dhjetor që në mesin e tyre të kenë shkrimtarin dhe historianin e njohur, Jusuf Buxhovin. Ai në këtë mbrëmje do të promovonte romanin e tij të ri “Jeniçeri i fundit”, që është në vazhdën e librave artistikë dhe historikë të autorit, të cilat kanë bërë bujë në opinionin shqiptar viteve të fundit.

Mbrëmja me Jusuf Buxhovin ishte e veçantë, qoftë për tematikën që e përshkon gjithë krijimtarinë e tij letrare dhe studimore, qoftë edhe për bujën që ka bërë në opinionin e Kosovës dhe në atë shqiptar në përgjithësi botimi i veprës së tij voluminoze “Kosova I, II, III”.

Në qendër të ligjëratës së tij, Jusuf Buxhovi, duke bërë fjalë për romanin e tij, ka vendosur bektashizmin, si rend religjioz specifik, i lindur nga jeniçerët. Këtë rend fetar pastaj autori e ngre si njërën ndër dy shtyllat që i paraprinë Rilindjes Kombëtare ndër shqiptarët: “ideja pellazgjike dhe bektashizmi përbëjnë bazën e Rilindjes sonë kombëtare”, ka theksuar Buxhovi në fjalën e tij.

Ai këtë tezë e ka mbështetur në simbiozën që bektashizmi ka bërë në mes të islamit dhe krishterimit nga njëra anë dhe besimeve pagane në anën tjetër.

Më tutje, duke shkoqitur idenë e romanit “Jeniçeri i fundit”, autori i ka theksuar se libri i tij është një `roman i vetvetes`. “Jam jeniçer i të mirës, i mbretërisë së të mirës që lufton kundër mbretërisë së të keqes”, ka thënë Buxhovi, duke identifikuar veten me frymën që përshkon romanin. Por ai megjithatë ka tërhequr vërejtjen se libri duhet të kuptohet si një fakt letrar e jo historik.

Autori ka sqaruar më tutje se romani i tij, edhe pse veprimin e ka të vendosur në një periudhë të mëhershme historike, bën paralele me kohën në të cilën po jetojmë. Ai ka theksuar se sundimi i shqiptarëve nga otomanët ka qenë pushtim por se atë periudhë mbi pesë shekullore nuk duhet shikuar në prizmin vetëm bardh-zi. Kjo për faktin se shqiptarët kanë luajtur rol të rëndësishëm në jetën e perandorisë otomane.

Duke ligjëruar ara studentëve shqiptarë të Cyrihut, Jusuf Buxhovi disa herë ka theksuar se fillet e idesë së Rilindjes Kombëtare tek shqiptarët nuk kanë lindur në trojet shqiptare por në vendet ku shqiptarët jetonin në mërgim. Sepse elitat kombëtare e kulturore të shqiptarëve jetonin atje, si në Stamboll, Bukuresht, Egjipt, te arbëreshët në Itali etj.

Në këtë pikë ai ka vendosur paralele në mes të asaj kohe dhe kohës së sotme. Sipas tij, inteligjencia shqiptare që po krijohet jashtë vendit, do të ketë rol të rëndësishëm për të rilindur dhe pasuruar me vlera të reja, perëndimore, shoqërinë kosovare dhe në përgjithësi atë shqiptare.

I gjendur në mesin e studentëve, shkrimtari dhe historiani Buxhovi i ka përgëzuar ata për aktivitetet që po bëjnë dhe për fatin që kanë për të studiuar në universitete perëndimore. U ka dëshiruar që, ndryshe nga prindërit e tyre, të cilëve u është mohuar atdheu, të kenë sukses në studime dhe të integrohen me vlera në shoqërinë e re. Ata duhet të krenohen me themelet antike pellazgjike, mbi të cilat, siç ka theksuar ai, ngrihet kultura shqiptare.

Krijuesi me qëndrim në Zvicër, Shefqet Dibrani, ka lexuar një vështrim të tij mbi librin e promovuar. Ai ka vlerësuar lartë romanin “Jeniçeri i fundit”, duke e kategorizuar atë si një ndër veprat letrare më të realizuara viteve të fundit në letërsinë shqipe. dibrani është ndalur veç tjerash në paralelizimet që bën autori i romanit në mes të dy periudhave historike, të pushtimi osman dhe historisë më të re.

“Si koncept, ngritja dhe rrënimi i Perandorive, kanë zhvillim identik, që përshkohen nga faktor kohor të zhvillimeve socioekonomike, por në aspektin strukturor e filozofik ngjasojnë. Në këtë plan romani i „Jeniçeri i fundit” aq sa ka të bëjë me perandorinë që përshkruhet, po aq ka të bëjë edhe me rrënimin e një perandorie që përfundoi kohë më parë”, është shprehur Shefqet Dibrani.

Në promovim ka qenë i pranishëm edhe konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, dr. Salih Sefa.

 

B.SH.

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriJusuf Buxhovi
  • Prejardhja:Pejë-Kosovë
  • Profesioni:Historian
  • Kontakti www.facebook.com/JusufBuxhovi

  WHO’S WHO të tjera