Kulturë

Arta Dobroshi

Aktore

Dobroshi është bërë kështu aktorja e parë nga Kosova që merr këtë çmim.

Deri më tani vendet e Ballkanit nuk kanë edhe përvojë të mirë në “Shooting Stars”, që ndahet prej vitit 1998.

Nga Shqipëria ka qenë aktori Nik Xhelilaj që në vitin 2011 kishte marrë çmimin “Shooting Star” për rolin e tij në filmin “Shqiptari”, në regji të Johannes Naber dhe ishte vlerësuar edhe për filmat “Gjallë” të Artan Minarollit dhe “Trishtimi i zonjës Schneider” në regji të Piro Mikanit.

Po atë vit, një tjetër aktore nga rajoni, përkatësisht nga Maqedonia, Natasha Petroviq, e ka marrë këtë çmim. Serbia deri më tani ka dalë pa fitues.

Në “Trishtimin…” kishte luajtur edhe aktorja Arta Dobroshi, e cila të hënën në mbrëmje në një ceremoni solemne të mbajtur në “Berlin Palast” është nderuar me çmimin për të cilin ishte nominuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Dobroshi është vlerësuar maksimalisht nga juria e çmimit e përbërë nga producentja gjermane, Bettina Brokemper, gazetari francez, Thierry Cheze, regjisorja britanike, Jina Jay, aktorja italiane, Alba Rohrwacher dhe skenaristja e regjisorja boshnjake, Jasmia Zhbaniq. Më së shumti është vlerësuar për rolin e saj në filmin “Tri botët”.

Përveç aktores nga Kosova, aktorët më të mirë të rinj të Evropës për vitin 2013 janë edhe Mikel Boe Folksgaard nga Danimarka, Laura Birn nga Finlanda, Christa Theret nga Franca, Saskia Rosendahl nga Gjermania, Luca Marinelli nga Italia, Ada Condeescu nga Rumania, Jure Henigman nga Sllovenia, Nermina Lukac nga Suedia dhe Carla Juri nga Zvicra.

“Në filmin ‘Tri botët’ aktorja tregon pasuri, ngrohtësi dhe humanitet. Ndjeshmëria dhe zgjuarsia e saj zapton ekranin e madh që në minutën e parë që ajo duket. Një performancë e pakalueshme”, ka thënë regjisorja Jasmina Zhbaniq, teksa ka prezantuar aktoren kosovare. Ky gjithashtu ka qenë edhe arsyetimi i jurisë, mbi të cilin janë bazuar kur kanë zgjedhur Dobroshin në listën e aktoreve të reja më të mira në Evropë.

Gjatë ceremonisë së dhënies së çmimeve juria ka thënë se ka qenë e vështirë të zgjidhet kjo përbërje e këtij viti, por lista prej 10 aktorësh, sipas tyre, portretizon secilin emocion të njerëzve.

“European Film Promotion” është themeluar në vitin 1997, në përbërjen e së cilës janë 34 shtete evropiane, ndërsa çmimi i saj “Shooting Stars” për aktorët më të mirë të rinj evropianë është financuar nga BE-ja dhe shtetet anëtare.

 

 

13.02.2013

 Biografi e shkurt

  • Emri MbiemriArta Dobroshi
  • Prejardhja:Prishtinë-Kosovë
  • Vendi ku vepron:Prishtinë-Kosovë
  • Profesioni:Aktore
  • Kontakti www.facebook.com/pages/Arta-Dobroshi-Official/317797978319829