Dramë

Shkëlzen Halimi

Gazetar/Dramaturg

Në bashkëpunim më grupin teatral „Aktrimi“ të Cyrihut, Teatri i Kumanovës – Drama shqipe, shfaqi për herë të parë në Zvicër dramën „Kufomat e gjalla“, e cila ka treguar suksese me pjesëmarrje e nominime nëpër shumë festivale, duke fituar dy çmime. Një dramë impresionuese e që të mban nën ethe të një realiteti të hidhur të jetës së një të hendikepuari idealist, të harruar në thellësi të një bodrumi që ka hyrje, por jo edhe dalje, i cili ngushëllohet se ndërgjegjja e shoqërisë një ditë do të ngjallet.

I hendikepuari me nofken “Kipsi” thërret në ndërgjegje, pasi që i është marrë çdo gjë nga jeta. Dhe, si të mos mjaftonte kjo, ai bëhet pre e një hajni të dhunshëm, i cili me të kuptuar që nga aty më nuk ka dalje, shndërrohet në një melankolist të dorëzuar që kërkon mëshirë duke kujtuar jetën e tij normale para se t’i futej hajnisë, i detyruar për të mbijetuar në një vend ku shtresa e mesme e shoqërisë është në zhdukje, ku populli ka rënë në gjumë dhe po rrëshqiste poshtë, ku askush nuk kujdeset më për ty e askush nuk të hapë dyert. Mbetesh i braktisur në rolin e një kufome të gjallë që pret ditën kur shpirti do marrë udhë për në qiell.

Kështu së paku e përjeton dramën e Shkëlzen Halimit shikuesi i ulur shumë pranë skenës së aktrimit përballë aktorëve Musa Isufi (Kipsi) dhe Ismail Kasumi (Hajni), e me regji të Zijadin Murtezit.

Këta për albinfo.ch në fund të shfaqjes u shprehën të lumtur që iu ka dhënë rasti të shfaqin dramën në Zvicër, falë bashkëpunimit me aktorin Ramadan Morina të grupit teatral „Aktrimi“. Ndërkohë që aktori profesionist i Teatrit të Kumanovës, Musa Isufi, tha se kjo është hera e parë që ka dalë jashtë vendit. „Nuk kam dashur asnjëherë të dal jashtë vendit si vizitor. Nga Kumanova kam dashur të dal e të shkoj jashtë e të luaj si aktor. Madje, qoftë dhe një shikues i vetëm, unë do të jap maksimumin në skenë“. Kjo dëshirë atij tanimë i është realizuar, pas shfaqjes së parë në Romanshorn, ka pasur të dytën në Winterthur dhe mbase në varësi të interesimit të mërgatës sonë, mund të shfaqin të tretën, të katërtën e kështu me radhë. Topi është në anën tonë. Mbetet tani në ndërgjegjen tonë ta kthejmë mbrapshtë, apo ta mbajmë!

 

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriShkëlzen Halimi
  • Vendi ku vepron:Shkup-Maqedoni
  • Profesioni:Gazetar/Dramaturg

  WHO’S WHO të tjera