Kulturë

Elina Duni

Këngëtare

Në sallën e mbushur plot ajo performoi me një ekip të muzikantëve nga Kosova dhe Shqipëria dhe promovoi albumin e saj “Muza e zezë” që është një projekt, të cilin ajo e quan 100 për qind shqiptar, për ndryshim të kuartetit Elina Duni që është një miks shqiptaro-zviceran.

Ajo performoi këngën e saj që është bërë edhe video “Në Tiranë”, si dhe shumë këngë të tjera, të cilat lidhen me fëmijërinë e saj dhe vendin prej nga vjen, në mesin e tyre edhe disa këngë të zhanrit rock që edhe kishte shënuar fillimin e karrierës së saj me bendin Retrovizorja.

Në një intervistë dhënë albinfo.ch Elina shpjegon karrierën e vet shqiptaro-zvicerane, marrëdhëniet me këngëtarët shqiptarë të zhanrit të njëjtë, Eda Zari dhe Fjoralba Turku, projektet e tashme dhe flet për skenën zvicerane të xhazit. Kjo skenë, sipas saj, së paku deri tash ka qenë e privuar prej festivalit më të njohur të muzikës në shtetin helvetik Montreaux Jazz Festival.

Në atmosferën e teatrit Oda Elina nënshkruan kopjet e albumit të ri të saj për fansat që tashmë kishin ardhur në pjesën e artistëve për të takuar atë. “Përzemërsisht është një fjalë shumë e ngatërruar, por më pëlqen”, thotë Elina, përderia nënshkruan kopjet e albumit të saj me fjalën përzemërsisht dhe emrin e pronarit të ri.

Disa fansa të tjerë bënin “selfie” me Elinën për të postuar në rrjetet sociale që të dëshmojnë se kanë takuar këngëtaren, e cila krojoi një atmosferë të shkëlqyeshme në Prishtinë.

Albinfo.ch: Isha në Cully Jazz fest, albumet e Elina Dunit ishin të vendosura në pjesën e CD-ve të muzikës zvicerane. Sonte na këndove për Tiranën dhe për Prishtinën, e jo për Lozanën?

Duni: Projekti i kuartetit është plotësisht i ndryshëm me atë që bëmë sot, ai është një projekt që ekziston tash e 10 vjet dhe ka katër CD, ku gërshetohen këngët folklorike të Ballkanit me xhazin. Unë besoj kuarteti është një urë lidhëse në mes të kulturës shqiptare dhe të asaj të Zvicrës, në mes të dy kulturave që mua më kanë rritur.

Kurse projekti “Muza e zezë” është 100 për qind shqiptar dhe muzikantët me të cilët kam punuar vijnë nga trevat shqiptare. Është projekti i parë për mua si kauntautore, të gjitha këngët janë të miat. “Në Tiranë” është kënga e parë që kam shkruar për këtë projekt dhe e kam shkruar që në 2006-ën.

Unë mbaj gjithmonë një pjesë të Tiranës gjithkund ku shkoj. Ndërsa unë i këndoj ndryshe Zvicrës, kur këndoj me kuartetin unë mbaj me vete gjithçka që Zvicra më ka dhuruar. Një pjesë e madhe e jetës sime ka ndodhur në Zvicër. Unë kam bërë të gjitha shkollat që kam dashur, kam pasur fatin të marr bursa. Pra, për mua e rëndësishmja është që Shqipëria brenda meje dhe Zvicra brenda meje të bashkëjetojnë sa më mirë.

Albinfo.ch: Sonte u ktheve në Shqipëri, u ktheve në rock, çka pastaj?

Duni: Nuk e di. Pas “Muzës…”, tash jemi duke përgatitur albumin e katërt me kuartetin, pra “Muza…” dhe kuarteti shkojnë paralelisht, ata nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin.

Albinfo.ch: Elina Duni, Eda Zari, Fjoralba Turku, a e kam harruar dikënd në këtë trio?

Duni: Jo, mendoj se këto të tria janë sa i përket miksit të xhazit me muzikë shqipe në Evropë.

Albinfo.ch: Si e sheh ti këtë kombinim dhe këto tri këngëtare?

Duni: Unë jam në kontakt me Edën, me të jemi takuar. Ndërsa me Fjoralbën vetëm virtualisht. Edën e respektoj shumë dhe ka qenë e para që ka gërshetuar folklorin shqiptar me xhazin. Së bashku kemi qenë në një emision në “1001 ëndrra dimri” në dhjetor. Ajo ka qenë në koncertim tim dhe kemi shumë respekt për njëra-tjetrën, pasi të dyja luftojmë për të njëjtën gjë, për të bukurën.

Albinfo.ch: Sapo është publikuar programi i Montreaux Jazz Festival, çka do të rekomandoje?

Duni: Mua më vjen shumë keq që në Zvicër ka shumë festivale të tjera që janë më të mira se Montroux. Aty gati që fare nuk ka xhaz. Atu vijnë shumë emra të njohur dhe nuk bëjnë zbulime. Ky festival nuk është marrë fare me xhazin zviceran. Mua më trishton shumë ky fakt. Në Zvicër ka shumë grupe të mira xhazi që bëjnë muzikë në tërë botën dhe Montraux as që e çan kokën për ta.

Këtë vit në bashkëpunim me Pro Helvetia do të ketë një platformë të xhazit zviceran, ku do luajnë tri grupe zvicerane dhe mua më vjen mirë për këtë.

Ai ka vetëm emrin xhaz, e jo edhe përmbajtjen. Më vjen keq që ai është më i njohuri, por fatkeqësisht më pak interesanti i të gjithëve.

Albinfo.ch: Ku do jetë Elina gjatë vitit 2014?

Duni: Në Renes, më 11 prill, në Gjenevë më 4 maj dhe në pjesë të tjera të Zvicrës, të cilat mund të gjenden në elinaduni.com<http://elinaduni.com>.

 

 

 Biografi e shkurt

  • Emri MbiemriElina Duni
  • Prejardhja: Tirana-Shqipëri
  • Vendi ku vepron:Lozanë-Zvicër
  • Profesioni:Këngëtare
  • Kontakti www.elinaduni.com