Kulturë

Florim Abazi

Detektiv

Quhet Florim Abazi, një emër krejt i zakonshëm i një shqiptari nga Kosova. Por puna qe bën ai, nuk është aspak e zakonshme. Florimi, rreth 35 vjeçar, jeton në rrethinën e Cyrihut dhe punon detektiv. Ai përgjon, ndjek dhe i kap hajnat e shitoreve dhe të restoranteve. Këtë profesion e ka filluar para 10 vitesh ndërsa tash tre vjet ai ka edhe firmën e tij për këtë punë.

Por, ndryshe nga detektivët klasikë që për shkak të profesionit mbeten tërë jetën anonimë, Florimi ka bërë një zgjedhje tjetër: ai ka botuar një libër në gjuhën gjermane. “Voll erwischt” quhet libri i Florim Abazit, i cili po bën bujë në Zvicrën gjermanofone. Në këtë libër, shqiptari nga Kosova shpalos përvojat e veta prej detektivi dhe me një stil të lehtë e tërheqës udhëheq lexuesin në fshehtësitë e profesionit të tij interesant dhe të rrezikshëm njëkohësisht.

Këto ditë në shtypin zviceran janë botuar artikuj të ndryshëm rreth librit, për të cilin flitet në superlativ. Detektivi shqiptar ka ngjallur interesimin e gazetave  dhe medieve tjera për ta intervistuar.

Ai në këto intervista tregon se çfarë mënyrash, nga më të habitshmet, përdorin njerëzit për të kryer një vjedhje. Në karrierën e tij Florimi ka kapur edhe doktorë shkencash që kanë vjedhur gjëra ushqimore. Hajna shitoresh dhe restorantesh ka nga të gjitha kategoritë shoqërore, nga të gjitha kombet, shprehet ai. Askush nuk bën të ju befasojë!

Deri më tash thotë të ketë kapur së paku 3000 hajna. E ka mprehur tashmë intuitën dhe i “nuhat” në mënyrë të pagabueshme ata.

Por, si të ruhemi nga hajnat, të cilët sidomos gjatë këtyre ditëve të blerjeve festive të fundit të vitit janë në vlugun e punës? Detektivi ynë ka një këshillë të thjeshtë: “Keni kujdes nga njerëzit që ju kërkojnë t`ua këmbeni paratë duke u dhënë “para të imta” dhe, mbyllni mirë xhepat e kuletat”. Për këshillat dhe truqet tjera, na mbetet ta lexojmë librin “Voll erwischt”, që, në përkthim të lirë i bie “I kapur në vepër”.

Florim Abazi

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriFlorim Abazi
  • Vendi ku vepron:Cyrih-Zvicër
  • Profesioni:Detektiv

  WHO’S WHO të tjera