Kulturë

Ibadete Ramadani

Këngëtare

Grupi “Super700” nga Berlini, i udhëhequr nga shqiptarja Ibadete Ramadani ekziston prej disa vitesh. Me një muzikë të veçantë që është vështirë t`i përcaktohet zhanri, “Super700” është vlerësuar si një bend që krijon një shkrirje në mes të muzikës pop rok alternativ, vestern etj.

Ibadetja është e lindur në Kosovë, në Prishtinë, ku ka jetuar disa vite dhe më vonë me familjen është shpërngulur në Gjermani,.

Në vitin 2009 këngëtarja shqiptare-gjermane bashkë me grupin ka dhënë koncert edhe në Prishtinë, ku është pritur ngrohtësisht nga publiku. Përveç në Gjermani, “Super700” ka zhvilluar turne edhe në SHBA, ku është pritur mjaft mirë.

Këto ditë Ibadete Ramadani së bashku me tre anëtarët gjermanë të grupit ka edituar albumin e tretë, me titullin “Under The No Sky” (Nën asnjë qiell). Me këtë album “Super700” do të ndërmarrë një turne gjatë muajit maj nëpër disa qytete të Gjermanisë.

E veçanta e albumit qëndron në faktin se kësaj radhe solisten, themeluesen dhe udhëheqësen e grupit, Ibadeten, nuk e shoqërojnë më si back vocal motrat e saj Iliriana dhe Albana. Po kështu mungon edhe njëri nga kitaristët. Por, siç vlerësojnë kritikët e muzikës, për aq sa ndjehet mungesa e zërave të dy motrave, edhe më shumë gjen shprehje fuqia e zërit dhe interpretimi i vetë Ibadetes.

Një ndryshim tjetër krahasuar me dy albumet e para është mungesa e emrave të mëdhenj në mesin e producentëve. Kështu, në albumin e parë, atë të vitit 2006 producent kishte qenë Gordon Raphael, që kishte bërë të njëjtën gjë edhe për të famshmit “Strokes”. Ndërsa producent i albumit të dytë të “Super700” kishte qenë Rob Kirwan i cili kishte punuar edhe për U2 dhe për PJ Harvey.

Por të gjitha këto mungesa nuk janë reflektuar në cilësinë e albumit, thonë mediet që ndjekin këtë lloj muzike. “Albumi tingëllon natyrshëm dhe në mënyrë homogjene: një sintezë në mes të pop-it dhe rokut, me ndikime të ndryshme të tjera.

“Super700” performon më 18 maj në Berlin; 19 maj në Köln; më 20 maj në Hamburg; më 23 maj në Munih dhe më 24 maj në Shtutgard.

 Biografi e shkurt

  • Emri MbiemriIbadete Ramadani
  • Prejardhja:Prishtinë-Kosovë
  • Vendi ku vepron:Berlin-Gjermani
  • Profesioni:Këngëtare