Sport

Illyrian 

Futboll

Shqiptarët në Zvicër nuk janë të suksesshëm të luajnë futboll vetëm nëpër fusha të gjelbra dhe me ekipe favorite, por edhe në ato me rërë, siç i quajnë „Beach Soccer“,  sport shumë i njohur në SHBA dhe tashmë edhe në Evropën Perëndimore.

Illyrian quhet ekipi i vetëm tash për tash shqiptar në botë që këtë sezon synon të sfidojë ligën e parë profesionale në Zvicër, e quajtur  „Suzuki Beach Soccer“, e cila sponzorizohet nga kompania më e njohur e automobilave „Suzuki“.

Dy vëllezërit, Selami dhe Rabit Rexhepi nga Kamenica e Kosovës, të cilët e formuan ekipin Illyrian në vitin 2009 në Zvicër,  nuk pretendojnë vetëm të zmbrapsin kampionin aktual zviceran „Havanna HotShoots Aarau“,  por edhe synojnë të arrijnë që në të ardhmen në garat ndërkombëtare të futbollit në rërë „Beach Soccer“ të përfaqësojnë vendlindjen e tyre, Kosovën.

„Plani tjetër në një afat më të gjatë kohor është të kontaktojmë Federatën e Futbolli të Kosovës dhe atë të Shqipërisë për të vetmin qëllim, përfaqësimin e tyre në garat ndërkombëtare të futbollit. Në Kosovë dhe në Shqipëri duhet edhe shumë kohë për të zhvilluar këtë lloj sporti.

Selami Rexhepi

Ne kemi këtë mundësi të pëfaqësojmë vendin tonë në „Beach Soccer“,  është shprehur me entuziazëm njëri nga tranjerët dhe futbollistët e ekipit Illyrian, Selami Rexhepi.

Ai ka thënë për albinfo.ch se pa asnjë problem, me një përgatitje dhe përkushtim të madh të ekipit, vitin e kaluar kanë qenë ndër më të mirët në ligën e dytë zvicerane, në një garë të fortë, në mesin e 30 ekipeve.

Ekipin Illyrian e përbëjnë kryesisht futbollistë shqiptarë nga të gjitha viset shqiptare, e që për tranjerin janë vise ilire dhe, për këtë arsye, ai thotë të jetë pagëzuar me këtë emër klubi.

Një përjashtim e bëjnë futbollisti italian, Davide Sodano dhe ai zviceran, Andreas Gloor, të cilët pas asnjë paragjykim dhe me shumë dëshirë stërviten dhe luajnë bashkë me futbollistët shqiptarë.

„Për mua nuk është problem të luaj me shqiptarët, përkundrazi në këtë ekip e kam gjetur veten dhe po ndjehem mirë si një familje. Mua po më duket sikur po luaj me bashkëkombësit e mi italianë. Me rëndësi është të jemi kampion“, thekson Sodano.

Në ekip vërehej se ka një harmoni në mesin e lojtarëve.

„Një sport i tillë është risi jo vetën në Zvicër, po edhe në vendet e tjera, se ne jemi njëri prej ekipeve të para që luajnë futboll në rërë, dhe duhet të tregojmë se jemi më të mirët. Ekipin tonë e përbëjnë shumica lojtarët shqiptarë, por megjithatë mbretëron harmoni e theksuar në mesin tonë“, shprehet studenti Orhan Spahiu.

Rabit Rexhepi

Rabit Rexhepi, i cili me një angazhim të madh ka arritur që klubi i tyre Illyrian të jetë  i regjistruar në ligën e parë zvicerane „Suzuki Beach Soccer 2011“,  ka  thënë se vazhdimisht janë në stërvitje në sallën e sportit në Dietikon, që kur të nisë sezoni në maj të jenë sa më të pëgatitur për kampionatin zviceran, në të cilin garojnë 16 ekipe.

Të gjitha lojrat e futbollit në rërë do të luhen në Zvicër dhe do të transmetohen nga televizionet e njohura sportive zvicerane.

„Futbolli në rërë  „Beach Soccer“ dallon nga futbolli normal, nevojitet teknikë dhe kondicion i madh dhe luhet pa patika dhe çorapa “, sqaron Selamiu.

Dy vëllezërit Rexhepi, njëri projketues në ndërtimtari të lartë dhe tjetri inxhinier i makinerisë, kanë kryer kurse të shumta për të qenë sa më të suksesshëm në krye të ekipit të tyre.

Ekipi i tyre numëron 18 lojtarë, ashtu e kërkon lloji i këtij sporti, që duhet të ndërrohen me njëri-tjetrin për shak të lodhjes nga vrapimi në rërë. Por, nuk do të thotë që nuk kanë nevojë edhe për futbollistë të tjerë.

„Ne jemi të hapur edhe për lojtarë të rinj“, ka thënë Selamiu.

Drejtuesit e Illyrian po bëjnë plane që kët vit të formojnë edhe Ekipin B, me të cilin do t’iu mundësohet lojtarëve të rinj të provojnë shkathtësitë e tyre edhe në futboll me rërë.

Madje është paralajmëruar formimi edhe një ekipi për femra, por e gjithë kjo sipas tyre do të varet nga paraqitja e sponzorëve.

Anëtar nderi i klubit është futbollisti i njohur kosovar, Milaim Rama.

„Ai e viziton shpesh klubin për t‘i motivuar lojtarët tanë“, tregon tranjeri Rexhepi.

Futbollisti tjetër, Besnik Thaçi, kishte braktisur ekipin e tij në ligën e dytë zvicerane në futboll për t‘iu bashkangjitur ekipit Illyrian.

Ai është zgjedhur golashënuesi më i mirë në vitin 2010, me 14 gola të shënuara.

„Futbolli në rërë më pëlqen më shumë, sepse bëhet lojë „Fairplay“ dhe tashmë më është bërë pasion, me gjithë stërvitjet e rregullta dhe intenzive“, e arsyeton braktisjen e futbollit Thaçi.

Për lojë “Fairplay”, vitin e kaluar,  klubi BSC Illyrian, ka zënë vendin e tretë në mesin e 20 ekipeve tjera zvicerane.

Megjithatë këkohet shumë eksperiencë në futboll, thonë lojtarët.

„Përveç kondicionit, eksperienca në futboll në rërë duhet të jetë më e madhe në krahasim me futbollin normal, ngase topi vazhdimisht është në ajër“, ka thënë futbollisti tjetër me përvojë disavjeçare, Afrim Danaj.

Drejtuesit e klubit BSC Illyria në prag të kampionatit po ballafaqohen me problemin e sponzorizimit të aktivitetit të ekipit, që për fillim është i pjesërishëm. Deri tash mbështetje kanë gjetur vetëm nga kompanitë Striker Beer në Meilen dhe EMS BAU nga Winterthuri.

Vëllezërit Rexhepi shpresojnë që para fillimit të kampionatit të lehtësohet edhe kjo barrë e klubit.

Për më shumë për ekipin shqiptar në botë në „Beach Soccer“, BSC Illyrian mund të vizitoni faqen e internetit: www.illyrian.ch

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriIllyrian 
  • Profesioni:Futboll

  WHO’S WHO të tjera