Pronar

Pren Kqira

Afarist

I sapo ardhur në Zvicër, Pren Kqira lidhet me gastronominë. Fillimisht si punëtor kuzhine, pastaj si kamerier dhe tash 20 vite si pronar restorantesh. Ngritjes së tij në këtë karrierë, i shkon më së miri ai përshkrimi i njohur për rrëfimet e suksesit “prej pjatalarësit te milioneri”.

“Me origjininë jamë nga fshati Serbica (Prizren). Në Zvicër kam ardhur para 30 viteve. Në fillim kam punuar në një hotel në vendskijimin Disentis të Graubündenit. Pasi që ende nuk e njihja gjuhën, normalisht, punoja në kuzhinë. Kam larë enë, kam ndihmuar në përgatitjen e ushqimeve”. Por për të ardhur këtu ku është sot, Pren Kqirës i është dashur të mësoje edhe shumë, të fitojë nga përvoja e punëdhënësve të tij. Pas disa vitesh, vjen hapi i parë i sprovës. Ai hap restorantin e tij të parë.

“Ka qenë viti 1993, kur, në Beringen të Schaffhausen-it kam hapur restorantin e parë “Bahnhof”. Ka qenë lokal me kuzhinë italiane dhe zvicerane”. Preni thotë se në atë kohë, në Zvicër fare pak shqiptarë kanë pasur restorante. “Bare dhe kafene me muzikë, mund të ketë pasur, por restorantet e shqiptarëve ku është shërbyer ushqim, kanë mundur të numëroheshin me gishta“ thotë ai.

“Ka qenë viti 1993, kur, në Beringen të Schaffhausen-it kam hapur restorantin e parë “Bahnhof”. Ka qenë lokal me kuzhinë italiane dhe zvicerane”. Preni thotë se në atë kohë, në Zvicër fare pak shqiptarë kanë pasur restorante. “Bare dhe kafene me muzikë, mund të ketë pasur, por restorantet e shqiptarëve ku është shërbyer ushqim, kanë mundur të numëroheshin me gishta“ thotë ai.

© albinfo.ch

Sot, kur flitet me të madhe për kalimin e restoranteve italiane të Zvicrës, në duart e shqiptarëve, Kqira mendon pak më ndryshe rreth gjithë kësaj.

“Nuk kisha thënë se ne shqiptarët e kemi “pushtuar” kuzhinën italiane. Fundja, në Winterthur janë rreth 60 piceri dhe restorante italiane, ndërsa vetëm 6 ose 7 prej tyre janë në pronësi të shqiptarëve”, thotë me kompetencë Pren Kqira. Marrë në përgjithësi, shqiptarët në këtë qytet mbajnë rreth 15 lokale hoteliere. “Por nuk ka shumë rëndësi numri. Më me rëndësi është pozita. Të gjitha këto lokale hoteliere janë në vendet qendrore të qytetit. Madje, në pikat më të frekuentuara”.

© albinfo.ch

Kjo flet për njëfarë suksesi që shqiptarët kanë treguar në gastronomi. Një sukses ky, nxitur nga nevoja, sipas Kqirës. “Fillimisht, na është imponuar puna në gastronomi, si punëtorë ndihmës, për shkak të njohjes së pamjaftueshme të gjuhës dhe kualifikimit të mangët. Por duke qenë ambiciozë, gjithnjë kemi tentuar të bëjmë diçka më tepër. Pasi kemi mbledhur pak përvojë, kryesisht në kuzhinat italiane, ne kemi marrë rrezikun që të nisim punën si të pavarur në gastronomi”.

Pren Kqira nuk harron të përmend meritat e familjeve. “Për ta bërë gjithë këtë, kemi pasur mirëkuptimin e pakusht të familjeve tona. Për gjithçka i detyrohemi sakrificës sonë dhe të familjeve”.

Disa nga familjarët edhe kanë punuar në restorantet e tij, ndërsa i vëllai, Antoni, është bashkëpronar i restoranteve dhe dora e djathtë e Prenit.

Pren Kqira udhëheq në vazhdimësi nga dy ose tre restorante paralelisht. Ndonjë prej tyre e jep me qira. Aktualisht, përveç më të madhit dhe më të njohurit, restorantit “Stella del Centro” që ndodhet në pikën më pulsuese të qytetit të Winterthurit, ai mban edhe restorantin “El Bargo” në Shaffhausen të cilin e udhëheq vetë, dhe atë “Santa Christina” në Winterthur që ia ka lëshuar me qira po kështu një shqiptari.

“Të gjithë restorantet që i kam ngritur gjatë kësaj kohe, ua kam shitur ose dhënë në shfrytëzim shqiptarëve, kryesisht të afërmve të mi. Dhe, që të gjithë vazhdojnë të punojnë mirë. Duke filluar nga restoranti i parë, në Beringen, të cilin tash e mban një kushëri, e deri te më i riu, “Vivace” dhe “Staatsaal” në qendër të Wilit, që udhëhiqet nga një shqiptar tjetër”, thotë Preni.

© albinfo.ch

Rreth gjysma e personelit në “Stella del Centro” janë shqiptarë. Kuzhinieri kryesor, Isaku “pizzaiola”, Albani dhe kamerieri, Agroni, janë vetëm disa prej tyre. Të gjithë këta e njohin mirë zanatin e tyre dhe punojnë me përkushtim, ashtu si dhe të tjerët, zviceranë dhe të huaj.

Puna e Prenit dhe Antonit në restorante, u ka krijuar një bazë të mirë ekonomike familjeve të tyre. Por, asnjëri nga fëmijët nuk punojnë në gastronomi. “Disa prej tyre e njohin punën. Por, me përcaktimin e tyre dhe me dëshirën tonë, ata kanë vazhduar shkollimin. Djali im dhe djali i vëllait kanë kryer shkollimin për komercialist. Punojnë në këtë profesion dhe vazhdojnë shkollimin”.

I pyetur nëse do të dëshironte që një ditë fëmijët ta trashëgojnë në gastronomi, Pren Kqira përgjigjet: “Unë nuk ua imponoj, por nëse ata tregojnë interes, mund ta vazhdojnë këtë punë…pse jo ?”.

© albinfo.ch

Terra cognita

Dosje: Kuzhina dhe migracioni

1/5

2/5

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriPren Kqira
  • Prejardhja:Serbica-Prizren-Kosovë
  • Vendi ku vepron:Winterthur-Zvicër
  • Profesioni:Afarist

  WHO’S WHO të tjera