Kulturë

Krenar  Arifi

Kitarist

Atë e njohim prej vitesh si kitaristin nga grupi muzikor “Guralumi” i Lozanës. Quhet Krenar Arifi dhe, se është më shumë se “vetëm” kitarist, do ta marrim vesh nga biseda e realizuar me të për albinfo.ch.

“Keni”, siç e quajnë shumëkush në Lozanë, vjen nga Kosova, më saktësisht nga Ferizaj, ku është i lindur në vitin 1980. Në Kosovë ka kryer një pjesë të shkollës fillore pastaj ka ardhur në Zvicër në vitin 1994. Këtu ai ka filluar studimet muzikore në EJMA (Ecole de Jazz et Musique Actuelle) në Lausanne, ku është diplomuar si instrumentist në vitin 2006. Në  të njëjtin vit ai ka qenë fitues i çmimit ‘Friedl Wald’. Ndërkohë dhe paralelisht ka studiuar në Konservatorin e muzikës të Lausannes HEM (Haute Ecole de Musique) ku ka diplomuar në vitin 2007 për pedagogji për muzikë (diplome d’enseignement).

Aktualisht Krenar Arifi është para kurorëzimit të një pune të frytshme, realizimit të një albumi të përbashkët me këngëtaren e njohur franceze Fanny Leeb. Krenari flet për albinfo.ch rreth këtij albumi po edhe rreth krijimtarisë së tij tjetër të deritashme.

Albinfo.ch: Ju njiheni si kitarist në grupin “Guralumi” që bën muzikë xhaz me bazë folkun shqiptar. Albumi që po e publikoni nuk lidhet me grupin. Na tregoni se për çfarë albumi është fjala dhe për çfarë bashkëpunimi?

Krenar Arifi: Po, albumi i ri, që quhet “Travel”, është një projekt tjetër, për të cilin kam filluar para 4 viteve bashkëpunimin me këngëtaren parisiene Fanny Leeb, e njohur edhe si vajza e humoristit dhe këngëtarit të mirënjohur Francez Michel Leeb. Në këtë projekt jam kompozitor dhe sigurisht, edhe kitarist.

Albinfo.ch: Në çfarë faze është tash albumi?

Krenar Arifi: Tani albumi është në shitje në të gjithë botën në mënyrë digjitale (iTunes etj), kurse fizikisht do të shpërndahet në Zvicër, duke filluar nga 14 maji (e martë).

Albinfo.ch: Sa këngë ka albumi

Krenar Arifi: I ka 11 këngë.

Albinfo.ch: A kemi të bëjmë edhe këtu me xhaz me elemente shqiptare apo?

Krenar Arifi: Jo, në këtë projekt nuk ka elemente shqiptare, por ka elemente xhazi, soul, pop.

Albinfo.ch: Na thuani diçka edhe për “Guralumin”, gjegjësisht pjesëmarrjen tuaj në të: kur ka filluar, si ka ndodhur njohja juaj me anëtarët e grupit?

Krenar Arifi: Grupi “Guralumi” eshtë formuar nga Gjon Guralumi, pianist virtuoz nga Tirana dhe unë, gjatë kohës sa unë isha duke ndjekur studimet në EJMA, në vitin 2004. Disa kohë kemi qenë vetëm një duet piano – kitarë kurse më vonë na lindi dëshira që të inkuadrojmë edhe muzikantë tjerë të huaj, të gjithë anëtarët në atë kohë ishin studentë në EJMA. Albumi i parë është krijuar në vitin 2006.

Albinfo.ch: A ka aktualisht ndonjë të re rreth “Guralumit”? Ndonjë Album, seri koncertesh?

Krenar Arifi: Në vitin e kaluar e kemi përfunduar albumin e dytë ‘Fluturim si zogu’ i cili është tani në shitje. Aktualisht jemi duke e përgaditur një mini turne në Shqipëri por datat nuk janë ende të caktuara.

Albinfo.ch: Çfarë punon Krenari për të jetuar? A mund të jetojë nga muzika? Nëse po, si, në ç`mënyrë?

Krenar Arifi: Unë kam fatin të jetoj vetëm prej profesionit tim. Përveç me këto  dy projektet që i përmenda më sipër, unë punoj edhe si kompozitor i muzikës së filmave të shkurtër, dokumentarëve, reklamave etj.

Albinfo.ch: Si kompozitor filmash, mund të na tregoni për ndonjë projekt, sigurisht për ndonjërin që ka pasur sukses ?

Krenar Arifi: Në vitin 2010 kam garuar për një spot publicitar për Youth Olympic Games të cilat jan mbajtur për herë të parë në Singapur, dhe aty fitova me konpozimin tim. Një tjetër sukses imi në këtë fushë ka qenë punimi që kam realizuar për Qeverinë e Argjentinës. Ata më kanë ftuar për të kompozuar muzikën e spotit publicitar me rastin e daljes së monedhës së re prej 100 pesosëve.

Sukseset e Krenar Arifit

Krenar Arifi ka marrë pjesë në shumë festivale dhe aktivitete tjera muzikore, si:  Montreux Jazz Festival, Bus Palladium – ParisSwan – Paris, Théâtre du Léman – Genève, Sentier des Halles – Paris, Le Petit Journal – Paris, L’Etage – Paris, Caprices Festival – Crans-Montana, Gatsby – Paris, Miles Davis Hall – Montreux, Stravinsky – Montreux, Bookies – Oxford/UK etj.

Po ashtu kënga “Travel” e kompozuar nga ai për Fanny Leeb ështtë zgjedhur për serialin e njohur televiziv”Section de recherches” të Televizionit të Francës.

Blerim Shabani

 Biografi e shkurt

  • Emri Mbiemri Krenar  Arifi
  • Prejardhja: Ferizaj-Kosovë
  • Vendi ku vepron:Lozanë-Zvicër
  • Profesioni:Kitarist