Kulturë

Sislej  Xhafa

Artist

Kanë kaluar më se dy vjet nga përurimi solemn i skulpturës karakteristike në trajtë të shkronjës “Y” të artistit shqiptar Sislej Xhafa në një park të Cyrihut dhe ajo ende nuk ka mundur “të flejë” si duhet. Pas entuziazmit të përurimit, vepra skulpturale që në Cyrih quhet “Llastiku”  (ose, në trajtën kosovare: “prraçka”) është kontestuar nga disa qarqe, kryesisht për brishtësinë e saj teknike. Që në ditët e para të jetës së saj, Y-ja gjigante kishte pësuar disa  plasaritje dhe, për pasojë, ishte rrethuar  me tela, për shkak të rrezikshmërisë që mund të paraqesë për fëmijët që luhateshin në të.

Kundër veprës së Xhafës ishin shprehur edhe disa politikanë lokalë, duke  kritikuar komunën e Cyrihut  për “para të hedhura kot” (vepra ka kushtuar afër 400 mijë franga).
Por, këta politikanë kanë pësuar së fundi debakël, pasi që ekzistenca e skulpturës, e hedhur në votim në Parlamentin e Cyrihut, ka marrë mbështetjen  e shumicës së këshilltarëve. Ata kanë votuar kundër një propozimi që “Y”-ja në Hardpark të Cyrihut të zëvendësohet me ndonjë vepër tjetër artistike, që është m”ë e përshtatshme për fëmijë”.

Këshilltari nga partia FDP, Roger Tognella e kishte bërë mocionin, duke thënë se skulptura nuk e plotëson njërin nga funksionet që i ishin besuar, atë të lodrës për fëmijë. “Vepra artistike që gëzon mbrojtjen më të mirë” në Cyrih nuk shfrytëzohet pasi që ulësja është e papërshtatshme për tu luhatur në të, ishte ankuar Tognella.

Por, anëtarja e ekzekutivit të qytetit, Ruth Genner nga Partia e Gjelbër, e cila kishte bërë promovimin e skulpturës dy vite më parë, ka thënë me këtë rast se, që nga fillimi i këtij viti, skulptura sërish është duke funksionuar mirë. Kjo vepër arti  ka një rol të rëndësishëm për valorizimin e lagjes ku është vendosur, duke i dhënë identitet asaj, ka shtuar ajo, shkruan nzz.ch

Në përgjithësi, në sesionin e Parlamentit të Cyrihut kanë qenë kryesisht të majtët ata që nuk kanë dashur të dëgjojnë për heqjen e skulpturës.

66 veta kane votuar kundër dhe 51 për heqjen e saj. Kështu, “Llastiku” i lartë 15 metra i Sislej Xhafës, krahas vlerësimit artistik, ka fituar legjitimitetin e tij edhe në rrafshin politik e institucional .

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriSislej  Xhafa
  • Prejardhja:Pejë-Kosovë
  • Vendi ku vepron: Brooklyn-SHBA
  • Profesioni:Artist

  WHO’S WHO të tjera