Shkencë

Lumnije Jusufi

Albanologe

Në konferencën për institucionalizimin e mësimit shqip në diasporë, të mbajtur ditë më parë në Prishtinë, binte në sy me pjesëmarrje aktive dhe me ndërhyrje të bëra me kompetencë dhe guxim. Diçka që reflektonte edhe formimin e saj shkollor gjerman.

Lumnije Jusufi ka studiuar dhe doktoruar albanologjinë, historinë e Evropës juglindore dhe gjermanishten në Universitetin e Munihut. Ata që studiojnë albanologjinë në Munih e identifikojnë me dëshirë veten si studentë të “Katedrës së Martin Camajt”. Kështu bën edhe Lumnija, e cila, sigurisht, ka studiuar në ketë katedër shumë vite pas vdekjes së Camajt, themeluesit të saj.

“Sa i përket pjesës së albanologjisë, jam studente e katedrës së Martin Camajt, por fushat tjera i kam ndjekur në katedra tjera. Kam doktoruar në këtë katedër, në vitin 2009 me temën “Të folmet e gegërishtes qendrore në Maqedoni”, që është botuar si libër shkencor në vitin  2011 nga shtëpia botuese “Haraszowitz” në Wiesbaden, në gjuhën gjermane (“Die zentralgegische Mundartengruppe in Mazedonien”. Libri ka rreth 230 faqe, i ilustruar me harta, grafikone dhe i plotësuar edhe me një cd).

Ky studim është vlerësuar nga kompetetntët gjermanë si një kontribut shumë i çmuar  në këtë fushe.

“Ndryshe nga supozimet e derivonshme, regjionet shqipfolëse të Maqedonisë nuk përbëjnë një tërësi gjeografike më vete. Shumësia e të folmeve, siç e pasqyron dr. Lumnije Jusufi, është ndikuar nga faktorë si gjeografia, ekonomia dhe arsimi. Jusufi, për herë të parë na ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse mbi dialektet shqiptare në Maqedoni dhe ngre kështu një bazë të patejkalueshme për hulumtimet e reja”, thuhet në prezantimin e librit nga botuesi.

Duke folur lidhur me “Katedrën e Martin Camajt”, të cilën tash prej vitesh e udhëheq gjuhëtari i njohur nga Shqipëria, profesor Bardhyl Demiraj, L. Jusufi thekson se, me vendosjen e sistemit të Bolonjës, ajo ka pësuar një reduktim. “Më parë albanologjia ishte lëndë më vete, prej të cilës mund të dilje magjistër dhe të vazhdoje doktoraturën. Tashti, për shkak të sistemit të ri, ajo, në nivelin bachelor është fuzionuar me gjuhësinë e përgjithshme dhe indoevropianistike, ndërsa në nivel të masterit, me filologjinë ballkanike”.

Megjithatë, profesoreshën që ka marrë titullin e doktorit të shkencave në këtë katedër, e mban besimi se ajo nuk do të mbyllet. “Aktualisht profesori Demiraj është aty ndërsa vendi i lektorit është i siguruar tash për tash për dy vjet. Për më tutje, nuk dihet”.

Ndërkaq, të interesuar për të studiuar këtu ka në numër të mjaftueshëm. “Është lëndë `e vogël` por funksionon mirë”, thotë Lumnija, e cila deri pak kohë më parë ka ligjëruar “Hyrjen në albanologji” për studentët e kësaj katedre.

Bashkëbiseduesja jonë ka marrë pjesë në konferencën me temën “Institucionalizimi i mësimit shqip në diasporë”, që ditë më parë është mbajtur në Prishtinë. Prej nga interesimi i studiueses së albanologjisë për mësimin plotësues në gjuhën shqipe?

Vetë Lumnija ka kaluar dy vjet në mësimin plotësues, në Dortmund.

“Pasi që 8 vjeçaren e pata mbaruar në vendlindjen time, në Zajaz të Kërçovës, me kalimin për të jetuar në Gjermani, krahas mësimit të rregullt kam ndjekur edhe klasën e 9 dhe 10 të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, në Dortmund. Por shqipen letrare e kam mësuar në Munih, as në Zajaz e as në Dortmund”, thekson ajo. E interesimi është i kuptueshëm pasi që ajo vetë shqipen e ka objekt studimi dhe për faktin se e sheh veten si pjesë përbërëse të diasporës shqiptare.

Lidhur me konferencën thotë se rekomandimet që dolën nga ajo janë shumë të mira. “U mbetet institucioneve nëse do të realizohen ose jo”. Ndërsa lidhur me kritikat e dëgjuara gjatë punimeve ajo thotë se ato bëhen “nga njerëz që nuk u përfaqësuan në grupet punuese, pastaj nga njerëz që janë brenda institucioneve. Unë nuk e shoh të udhës që nga institucionet të vijnë kritika për atë pse përfaqësohet diaspora”, shprehet dr. Lumnije Jusufi.

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriLumnije Jusufi
  • Prejardhja:Kërçovë-Maqedoni
  • Profesioni:Albanologe

  WHO’S WHO të tjera