Politikë

Marigona Isufi

Politikane

Postin e ri në Nju-Jork 19-vjeçarja e konsideron si sfidë, që sipas saj, jo që nuk përballohet, por thotë të jetë një shans i veçantë, të cilin e ka pranuar me kënaqësi.

Kosovarja Marigona Isufi, tashmë 19-vjeçare, e cila një kohë kishte lobuar për të drejtat e fëmijëve në Parlamentin Federal, prej vitit të ardhshëm do ta përfaqësojë rininë e Zvicrës si delegate në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.

Sfidë pas sfide, politikania e re e kishte filluar angazhimin politik qysh në fëmijëri, së pari kryetare e Parlamentit për fëmijë në qytetin e Bernës, mandej iniciatore e themelimit të Këshillit të të Rinjve “Jungendrat“, të cilin e udhëhoqi për dy vjet, e tash me postin e ri në Nju-Jork.

Politikania e re me prejardhje nga Kosova konkurroi në zgjedhjet e fundit edhe për deputete të Parlamentit zviceran, por që nuk arriti të marrë vota të mjaftueshme.

Postin e ri në OKB 19-vjeçarja e konsideron si sfidë, që sipas saj, jo që nuk përballohet, por thotë të jetë një shans i veçantë, të cilën e ka pranuar me kënaqësi. Në një intervistë për Albinfo.ch Marigona Isufi tregon më shumë për detyrat që i ka marrë në OKB. “Unë do të jem përgjegjëse që atje të përfaqësohet edhe këndvështrimi i të rinjve dhe që rinia të ketë fjalën e saj”, ka thënë mes tjerash në këtë intervistë Marigona Isufi.

Albinfo.ch: SAJV (Bashkësia Zvicerane e Punës e shoqatave rinore) në bashkëveprim me Ministrinë e Jashtme të Zvicrës kanë zgjedhur dy zvicerane të reja dhe një zviceran për të përfaqësuar brezin e të rinjve të Zvicrës gjatë vitit 2012 në “Youth Rep” (përfaqësues të rinisë) në OKB, në Nju-Jork. Ju jeni njëra nga tri përfaqësueset e zgjedhura, çfarë sfide është kjo për Marigonën që sapo ka mbushur 19 vjeç?

Marigona Isufi: Posti i ri është gjithsesi një sfidë, por jo e tillë që nuk mund të përballohet. Unë e ndiej veten të gatshme për të, kam mbrapa vetes përvoja disavjeçare: ishte Parlamenti i fëmijëve, mandej Këshilli i të rinjve, në të cilin i përfaqësoj të rinjtë e qytetit të Bernës para Qeverisë së Komunës, pastaj puna ime në lobimin e fëmijëve, ku kam bërë përpjekje ta bart në parlament zërin e fëmijëve. Dhe, vjen posti im i ri, i cili në këtë kuptim është më i lartë, më emocionues dhe ndërkombëtar.

Ka edhe shumë për t’ u mësuar dhe për t’u lexuar, tash nuk është më sikur deri tani që të komunikoj gjermanisht, por frëngjisht dhe anglisht. Mirëpo, është një shans i mrekullueshëm, unik që më është dhënë dhe unë i gëzohem punës që do ta filloj vitin që vjen. Është një sfidë, të cilën e marr me kënaqësi.

Albinfo.ch: Sa do të zgjasë ky mision i juaj në Nju-Jork dhe cila është detyra juaj?

Marigona Isufi: “YouthRep” është një angazhim që shtrihet përgjatë dy vjetëve. Në vitin e parë unë do të jem aktive, do të shkoj në konferenca, organizoj aktivitete ose do të prezantoj OKB-në nëpër shkolla. Ndërsa, gjatë vitit të dytë do të jem më shumë përgjegjëse për trajnimin e YouthRep-it të ri dhe do të jem aktive nga prapavija, për t`iu përgjigjur pyetjeve ose për të ndihmuar.

Në kuadrin e vitit të parë unë së bashku me delegacionin zviceran, gjatë shkurtit 2012 do të marr pjesë në Komisionin për Statusin e Gruas, që zgjat dy javë dhe do të jem përgjegjëse që atje të përfaqësohet edhe këndvështrimi i të rinjve dhe që rinia të ketë fjalën e saj.

E bukura në këtë punë është se vërtet që nga fillimi jemi pjesë e delegacionit, i përpunojmë dhe i shtrojmë temat, diskutojmë për to dhe pastaj udhëtojmë bashkë për në Nju-Jork. Një nga temat që do të debatohet është “Engaging young women and men, girls and boys, to advance gender equality” (Angazhimi i të rinjve, femra dhe meshkuj, për të përparuar barazinë e gjinive). Dhe, kjo është, për shembull, një temë që vërtet ka të bëjë me të rinjtë dhe ka shumë rëndësi që edhe ne të themi diçka rreth saj.

Albinfo.ch: Ju keni garuar në zgjedhjet federale të para dy muajve, duke kandiduar për deputete në Parlamentin Federal në Bernë, a do të thotë se me përzgjedhjen tuaj do të tërhiqeni prej politikës?

Marigona Isufi: Unë vazhdoj të mos jem në asnjë parti politike dhe do të jem sigurisht edhe për një kohë.

Megjithatë, për mua angazhimi i ri nuk nënkupton aspak tërheqjen nga politika. Është krejtësisht e kundërta: unë angazhohem edhe më tutje në politikë, unë jam edhe më tej në Këshillin e të rinjve të qytetit të Bernës dhe së fundi jam aktive edhe në politikën e OKB-së. Unë, p.sh. nuk kam qenë asnjëherë pjesë e ndonjë partie dhe kjo për mua është vetëm një pjesë e asaj që e bën politikën si të tillë. Por, siç e thashë, unë jam më shumë një person që me dëshirë angazhohet në politikën reale, përmbajtjesore dhe këtë do ta bëj edhe më tej.

Albinfo.ch: Ku jeni me shkollimin, a do të mund t’i përballoni të gjitha?

Marigona Isufi: Aktualisht jam nxënëse e shkollës së mesme ekonomike në Bernë dhe planifikoj ta përfundoj atë në korrik, para se, pastaj, në muajin gusht ta filloj praktikën e maturës profesionale në Departamentin Federal për çështje të drejtësisë dhe të policisë.

Është njëra ndër sfidat e mëdha për vitin 2012 që t`i përthekoj të gjitha këto, por po ashtu nuk është se unë kam filluar befasisht tash të merrem me politikë. Angazhimi im si “YouthRep” nënkupton që do të më duhet t`i koordinoj më mirë mbledhjet, të kem më shumë kujdes që të mos më dalë asgjë nga kujtesa dhe që të kem kohë për shoqet dhe shokët, ndryshe çdo gjë rreth meje do të mbetet si më parë.Pasi që shkolla më ka mbështetur gjithmonë, nuk është ndonjë problem që do të mungoj disa ditë më shumë nga shkolla, dhe jam e lumtur për këtë mirëkuptim.

Përveç Marigonës, në Nju-Jork do të shkojnë si delegatë të Zvicrës edhe Lucie Rosset, 21-vjeçare nga Vaudi dhe i riu 23- vjeçar Mattia Zanazzi, nga kantoni i Tiçinos.

Ata do të jenë pjesë e delegacionit zviceran dhe zëdhënës të rinisë së Zvicrës në Konferencën e OKB-së për statusin e gruas (CSW) në konferencën Rio+20 për zhvillim të qëndrueshëm si dhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Krahas kësaj, ata do organizojnë aktivitete të ndryshme në Zvicër, veçanërisht në kuadrin e jubileut dhjetëvjeçar të hyrjes së Zvicrës në OKB.

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriMarigona Isufi
  • Prejardhja: Bernë-Zvicër
  • Vendi ku vepron: Bernë-Zvicër
  • Profesioni:Politikane

  WHO’S WHO të tjera