Ekonomi

Bardhyl Coli

Menaxher

Si tetëvjeçar erdhi nga Kosova në Zvicër dhe ndoçi shkollën për herë të parë këtu. Njëzetë vite më vonë, në qershor 2012, ai u bë drejtor i hotelit superior  me katër yje „Waldhotel Davos“. Bardhyl Coli është një ndër drejtorët më të rinj të hoteleve luksoze zvicerane, edhe pse edhe në hotele të tjera të nivelit të lartë gjithnjë e më shumë ligjin po e merr në dorë gjenerata e re. Marketingu thjeshtohet duke pasur parasysh faktin se hoteli – atëherë ishte një sanatorim mushkërish – ishte shkas për lindjen e romanit „Bregu magjik“ të Thomas Mann-it. Por, me magji s’ka të bëjë fare karriera vetëtimë e drejtorit të ri të hotelit e as rangimi i ngritur i ndërmarrjes. Coli i zellshëm nuk dëshiron ta theksojë posaçërisht as  të kaluarën e tij të vështirë si fëmijë i një familjeje me prejardhje shqiptare e as  rrugën e rrëpirtë të ngritjes së tij profesionale. Por vlerën e arritjes së tij të jashtëzakonshme për marketingun dhe mediet ai i njeh mirë.

Me qëllim të qartë parasysh

Bardhyl Coli është i vetëdijshëm se ambicja dhe gatishmëria për rezultate e sollën në krye të hotelit rrëzë malit në Davos. „Dhe fati ishte natyrisht aty“, shton ai. Pronarin gjerman të hotelit ai arriti ta bindë me pasionin për profesionet e tij, të cilat ai i kupton pakompromis si shërbime. 29 – vjeçari filloi karrierën e tij në vitin 2000 me mësimin e zanatit të shërbimit hotelier. Tri vite shërbeu në këtë zanat dhe njëkohësisht u aftësua më tej për shërbyes verërash. Pastaj absolvoi edhe mësimin e zanatit të dytë si kuzhinier. Nga bodrumi i verërave dhe kuzhina kaloi në recepcionin e një hoteli  « wellnes » («  i të niderit mirë ») para se më 2008 ta marrë diplomën e hotelierit në Shkollën e Profilizuar për Hoteleri Belovierpark në Cyrih. Më pastaj ndodhi një transfer jashtë vendit në hotelin « Berlin Mitte » të zinxhirit hotelier NH. Këtu Coli punoi si zëvendësdrejtor dhe ishte përgjegjës për 120 të punësuar.

Në hotelin e vogël „Waldhotel“ me 46 dhoma ai varësisht nga sezoni udhëheq me 35 deri 50 të punësuar. Këtu ka shansin që ta zbatojë filozofinë e tij, thotë drejtori i hotelit. Sharmi i një   „boutique- hoteli“ të mundëson që mysafirët, ndryshe nga një hotel i madh, t’i shërbesh individualisht. Ai mbështetet në moton e „befasimit të klientit“, me çka synon që hotelin e tij ta lartësojë në krahasim me konkurrencën. Ndoshta për këtë arsye në vizitkartën e tij nuk shkruan „drejtor“, por „mikpritës“. Kjo s’ka të bëjë me servilizëm, thotë Coli. Me këtë ai dëshiron shumë më tepër të sinjalizojë se mysafiri merret seriozisht parasysh me të gjitha dëshirat dhe kërkesat e tij. Vërtet të befasuar janë shumëkush, kur në një hotel luksoz ju qëndron përballë një shefi kaq të ri.(…)

Nga personeli hotelieri i ri, i vendosur dhe dinamik kërkon shumë. Secili në domenin e vetë të përgjegjësisë duhet të tregohet si mikpritës. Qëllimi është „të ofrohet shërbim personal dhe komoditet i shkallës më të lartë“. Kështu dhe në fjalë të ngjashme shkruan edhe në  fletëpalosjet me vizionin e hotelit, parimete tij bazë dhe parimet e mënyrës së udhëheqjes së tij, të cilat mund t’i marrë në xhep edhe secili mysafir i hotelit.  Që Coli dhe ekipi i tij që në vitin e parë patën sukses me këtë kredo nuk flet vetëm numri i shtuar i mysafirëve. Në rangimin e 100 hoteleve më mikpritës të Zvicrës, hoteli „Waldhotel“ renditet i 9-ti në kategorinë e tij. (…)

„waldhotel“ nuk dëshiron të mbetet i veçantë vetëm përmes të kaluarës së tij me sanatoriumin apo të Thomas Mann-it, por në radhë të parë përmes mikpritjes së tij.

Përkthimi nga NZZ: Nexhmedin Gerguri

27.06.2013

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriBardhyl Coli
  • Prejardhja: Klina-Kosovë
  • Vendi ku vepron:Zvicër
  • Profesioni:Menaxher
  • Kontakti [email protected]

  WHO’S WHO të tjera