Kulturë

Vaçe Zela

Këngëtare

Në kujtim të së madhes  Vaçe Zela, të dielën në  Bazel  u mbajtën homazhe me rastin e ndarjes së saj nga jeta. Pas kthimit nga Shqipëria në Zvicër, shumë adhurues të këngës dhe personalitetit  të Vaçe Zelës dëshironin që ta vizitonin familjen e saj për ngushëllime e ta nderonin artisten e madhe duke ndarë dhimbjen me ta.

Për këtë arsye bashkëshorti  i saj Pjetër Rodiqi dhe e bija, Irma, vendosën që të caktojnë një ditë kur secili do të kishte mundësi në t`i bënte homazh artistes së madhe.

Meqë Vaçe Zela njëzet vitet e fundit të jetës së saj i kaloi në Bazel, prania e saj kishte lënë gjurmë të pashlyeshme te shqiptarët me banim në Bazel dhe më gjerë. Ajo me zemërgjerësinë e madhështinë e saj si dhe familja e saj e respektuar, krijuan rreth të gjerë shoqërie në qytetin e Bazelit.

Skender Nikoliqi dhe Nazmi Jakurti me familje, ishin ndër ata që kishin nderin të ishin miq të familjes së Vaçe Zelës për më shumë se pesëmbëdhjetë vite dhe me ndihmën e tyre u organizua edhe ky takim.

Homazhi, që është mbajtur në kuadrin e veprimtarive të Këshillimores Shqiptare të Bazelit, ABSM, ishte organizuar me përkushtim të veçantë dhe enkas për këtë rast ishte përgatitur një program artistik.  Tërë kohën në sfond dëgjoheshin tingujt e këngëve të Vaçe Zelës, këngë të komponuara nga kompozitorë të mëdhenj shqiptarë si Çesk Zadeja, Tish Daia, Kujtim Laro etj. Në hyrje të sallës ishte vendosur një libër i kujtimeve , ku secili kishte mundësinë t`i shkruante mbresat  dhe kujtimet veta  për artisten e madhe.

Homazhi u hap nga bashkëshorti i Vaçe Zelës i cili i i falënderoi të pranishmit dhe  të gjithëve u shfaqi mirënjohjen e tij për ndarjen e dhimbjes me familjen.

Me këtë rast ishte përgatitur edhe një recital. U recituan poezi  të rapsodit Agim Gashi nga Lipjani e me banim në Gjermani, i cili i kishte kushtuar poezi Vaçe Zelës, pastaj  poezi  të Gjevahir Cirongut etj.

Në vazhdim të pranishmit kishin rast të përcillnin një film dokumentar të realizuar në Shqipëri me rastin e vdekjes së Vaçe Zelës dhe ceremonisë së varrimit të saj, me titull: „Homazh për Artisten e Popullit, Vaçe Zela“.

„Muzikës shqiptare do t`i mungojë mbretëresha e saj“. Agim Doçi . Me këtë thënie të Agim Doçit, të pranishmëve iu dha rasti që të thoshin disa fjalë për Vaçe Zelën. Ishin të shumtë ata të cilët me fjalë të zgjedhura folën për përshtypjet e tyre për artisten e madhe të këngës shqipe. Shfrytëzuan këtë rast të gjithë, si folësit nga Shqipëria ashtu dhe ata nga Kosova që të thonë se Vaçe Zela vetëm përkohësisht shkoi nga kjo botë sepse vepra, emri i saj dhe kënga e saj nuk do vdesin kurrë. Ajo u vlerësua si personalitet e cila me këngën e saj theu kufijtë e diktaturës së egër komuniste në Shqipëri, ua lehtësoi të gjithëve dhimbjen e i bashkoi të gjithë shqiptarët e të gjitha trojeve shqiptare dhe më gjerë kudo në botë.

Fjalën e morë edhe Ambasadori i Shqipërisë  Ilir Gjoni, ai i Kosovës, Naim Malaj, meshtari don Marian Marku, mjeku i Vaçe Zelës, Sefedin Haxholli etj.

Në fund, të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoi edhe vajza e Vaçe Zelës, Irma.

 

 

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriVaçe Zela
  • Prejardhja: Lushnjë-Shqipëri
  • Vendi ku vepron: Bazel-Zvicër
  • Profesioni:Këngëtare

  WHO’S WHO të tjera