Politikë

Nazim Rexhepi

Politikan

Për Asamblenë Komunale të Lagnaus Rexhepi ka qenë i vetmi shqiptar që ka kandiduar dhe ka fituar zgjedhjet edhe këtë herë. Politikani me prejardhje nga Kosova në një intervistë që i ka dhënë albinfo.ch tha se do të vazhdojë të angazhohet për të avancuar pozitën e komunitetit shqiptar në këtë pjesë të Zvicrës. Rexhepi thotë se do të kandidohet edhe për zgjedhjet kantonale që do të mbahen në mars të 2014 në Bernë.

Albinfo.ch: Kur keni nisur të merreni aktivisht me politikë dhe çfarë ju ka shtyrë ta bëni këtë?

Nazim Rexhepi: Që në bankat shkollore, në Kosovë, më ka interesuar politika, ngase, siç thuhet: Edhe nëse nuk merresh me politikë, ajo merret me ty! Pas ardhjes në Zvicër më 1989 e kam parë se në një shoqëri demokratike vërtet ia vlen të jesh aktiv në politikë, aty ku merren vendimet e rëndësishme për qytetarët, e në rastin tonë edhe për emigrantët. Natyrisht, më është dashur të pres disa vjet, derisa e mora nënshtetësinë zvicerane.

Albinfo.ch: Përse jeni lidhur pikërisht me Partinë Socialdemokrate (SP)? Cili është profili dhe cila është fuqia e kësaj partie në Lagnau?

Nazim Rexhepi: Partia Socialdemokrate e Zvicrës, por edhe partitë e tjera të majta, janë më të hapura ndaj të huajve dhe më të angazhuara në temat, si migrimi dhe integrimi i të huajve në shoqërinë zvicerane. Kjo parti udhëheq Komunën e Langnau-t tash e njëzet vjet (Kryetari i Komunës, z. Bernhard Antener, socialdemokrat, është tash e njëzet vjet në pushtet. Ai njëherësh është edhe kryetar i Parlamentit kantonal të Bernës).

Albinfo.ch: A ka shqiptarë të tjerë të angazhuar në këtë parti në Lagnau?

Nazim Rexhepi: Për fat të keq, në Langnau nuk është asnjë shqiptar i angazhuar në politikë, përpos meje. Megjithatë, rreth zgjedhjeve angazhohen dhe, ata që kanë të drejtë vote, më votojnë mua.

Albinfo.ch: Prej vitesh jeni këshilltar i Komunës Langnau am Emental. Çfarë mund të veçoni nga angazhimi juaj politik që ka favorizuar qytetarët me origjinë të huaj dhe për shqiptarët në veçanti?

Nazim Rexhepi: Prej vitit 1993 jam fillimisht simpatizues, e që nga viti 2004 anëtar i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës. Më 03 nëntor 2013 me 715 vota të qytetarëve të Langnau-t u zgjodha për herë të tretë (2006 – 2009; 2010 – 2013 dhe 2013 -2017) anëtar i Asamblesë Komunale të Langnau-t. Në këto vite jam angazhuar jashtëzakonisht shumë në temat e mirëqenies sociale dhe të integrimit. Mendoj se ia kam dalë të ndikoj në përmirësimin e imazhit të emigrantëve në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti.

Albinfo.ch: Cilat janë shqetësimet me të cilat ballafaqohen në përditshmërinë e tyre emigrantët e komunës suaj ?

Nazim Rexhepi: Përveç shqetësimeve të përgjithshme, me të cilat ballafaqohen qytetarët e komunës sonë, emigrantët i kanë edhe shqetësimet specifike, si shkalla më e lartë e papunësisë, vështirësitë në pranimin nëpër shkolla adekuate, ngritja e imazhit të tyre, etj. Ndonëse e them me krenari që vitet e fundit ka gjithnjë e më shumë shqiptarë të punësuar në vende të mira pune, madje edhe në Komunë.

Albinfo.ch:  Na thoni sa janë aktivë shqiptarët si komunitet i huaj dhe sa janë të integruar në komunën tuaj? Cili është imazhi i shqiptarëve në këtë regjiion?

Nazim Rexhepi: Shqiptarët në komunën tonë nuk janë aktivë në politikë. Por, kemi sportistë të dalluar, si: Florent Hadergjonaj në futboll (Young Boys Bern), Alban Rexha në hokej mbi akull (luan për HC Langnau, në ligën kombëtare të Zvicrës), etj.

Albinfo.ch:  Në Langnau nga 10 mijë banorë, 10% janë të huaj. Të huajt me viza C a  kanë të drejtë të votojnë në zgjedhje? Dhe a jeni angazhuar që kjo kërkesë e tyre të merret në shqyrtim në parlamentin e komunës suaj?

Nazim Rexhepi: Çështja e të drejtës së votimit për të huajt është një problem nacional në Zvicër. Në disa kantone tashmë aplikohet kjo e drejtë, ndërkaq Kantoni i Bernës, për fat të keq, ende nuk ia ka dalë t’i bindë qytetarët e vet që t’ua mundësojnë edhe bashkëqytetarëve të tyre emigrantë pjesëmarrjen në vendimmarrje demokratike.

Albinfo.ch:  A e sheh Nazim Rexhepi të ardhmen e vet si politikan profesionist?  A keni ambicie për zgjedhje në instanca më të larta?

Nazim Rexhepi:  Natyrisht, secili që merret me politikë ka ambicie të shkojë sa më lart. Në mars 2014 mbahen zgjedhjet për në Parlamentin kantonal të Bern-it. Unë jam një nga kandidatët nga regjioni Emmental.

Nazim Rexhepi është me origjinë nga Malisheva e Gjilanit. Më 1989 ka emigruar në Zvicër. Prej vitit 1990 është anëtar aktiv i sindikatave zvicerane, ndërsa që nga viti 2004 është i punësuar si sekretar sindikal në Sindikatën UNIA. Aktualisht vepron dhe jeton në po të njëjtin qytet së bashku me familje.

 

Sevdail Tahiri

11.11.2013

 Biografi e shkurt

  • Emri MbiemriNazim Rexhepi
  • Prejardhja:Gjilan-Kosovë
  • Vendi ku vepron:Langnau-Bern-Zvicër
  • Profesioni:Politikan