Komedi

Ramadan Morina

Aktor

Publiku në sallën e vogël por të ngrohtë të teatrit në një shkollë të Winterthurit, të shtunën ishte dëshmitar i një mbrëmjeje të këndshme artistike. Pak këngë, pak ekzekutime në piano, disa piktura të ekspozuara, një recitim dhe një shfaqje e realizuar mjaft mirë, u kurorëzuan me disa valle popullore. Të gjitha këto në lokalet që i ka në shfrytëzim ansamblit “Vatra”, dega në Winterthur, kryesuar nga Zeqir Gashi, që  ishte edhe nikoqir i mbrëmjes.

Në mesin e gjithë këtyre pikave artistike, shfaqja e komedisë “Nuk erdhi Veliu” ishte sigurisht “magneti” që kishte tërhequr më shumë publikun.

Diçka në mes të forum-teatrit dhe komedisë stand-up apo një kombinim i këtyre të dyve – ku nuk përjashtohet edhe ndonjë përkufizim i tretë. Ky është pak a shumë koncepti mbi të cilin është ngritur shfaqja me titullin e pazakonshëm “Nuk erdhi Veliu”, me tekst dhe regji të përbashkët të pjesëtarëve të grupit teatror “Aktrimi” nga Cyrihu.

Në këtë “më shumë se komedi”, siç e kanë mbiquajtur autorët, luajnë “të tjerët pa Veliun”. E Veliu (Berisha), ai që ka munguar, është në fakt njëri nga aktorët më aktivë të grupit, i cili, siç u tha gjatë shfaqjes, shpesh ndodh të vonohet për prova dhe të paraqitet me telefon “nga kolona”, ku rëndom është duke vozitur me makinë.

Në fakt, siç e sqaron drejtuesi i grupit, Ramadan Morina, pikënisja e realizimit të kësaj shfaqjeje është mungesa. Mungesa e kushteve në radhë të parë, për realizimin pa telashe të një projekti teatror. Grupi “Aktrimi”, të cilin e mban bashkë pothuaj vetëm entuziazmi dhe dashuria për teatrin, në provat e tij përballet çdo ditë me problemet më banale: mungon njëri nga aktorët për shembull (sikur “kësaj here” Veliu) e pastaj duhet improvizuar. Dhe në këtë improvizim kreativ qëndron shpesh edhe e bukura e shfaqjeve të grupit. Sikurse edhe e shfaqjes më të re, “Nuk erdhi Veliu”.

Gjithë ngjarja pastaj  zhvillohet në një klinikë psikiatrike, ku tre protagonistët e shtruar aty: Dani, Avdiu dhe Feka shpalosin talentet e tyre përmes një audicioni për aktorë. Infermierja zvicerane (Xheneta Zuzaku) përmes një nënteksti të veshur me një humor të hollë e shpotitës, i portretizon protagonistët e përmendur duke dialoguar njëkohësisht me ta. Pastaj, ajo ua lë skenën treshes nga psikiatria.
Dani, i cili thotë të ketë qenë dikur një regjisor e aktor i madh, profesor i regjisë dhe aktrimit, ka shpallur një audicion për aktorë të rinj. Fillimisht ai “kërkon” kandidatët në mesin e publikut, duke vendosur kontakt interaktiv me të. Pastaj në skenë vijnë si kandidatë, dy të sëmurët tjerë nga psikiatria, Avdiu (Avdi Amidi) dhe Feka (Fikrim Morina).

Ngatërrimi që këta dy dhe sidomos Feka, u  bëjnë koncepteve elementare të teatrit, çon në keqkuptime të shumta që si rezultat të fundit shkaktojnë të qeshura deri në lot të publikut. Një nevojë kjo që, siç e theksuan shumë nga shikuesit, i kishte sjellë këtu dhe duhet thënë se ishin ndarë të ngopur.

Lojën e aktorëve të “Aktrimit”, si gjithmonë edhe kësaj here e veçonte përkushtimi dhe entuziazmi. Por ajo që duhet theksuar është se ardhja në këtë trupë, e aktorit nga Prizreni, Fikrim Morina, ka freskuar dhe dhe dinamizuar shumë lojën. Prirja e tij e lindur për humor, e ngritur në nivel artistik përmes shkollimit të kryer për aktor, i ka dhënë vulë komedisë së shfaqur në Winterthur.

Para shfaqjes, me dy pika të ekzekutuara në piano është prezantuar nxënësja Flutura Bytyçi, e cila ka treguar një virtuozitet të vërtetë për moshën. Ndërsa me një recital është paraqitur Qëndresa Kuqi, e cila, krahas Blearta Gashit, ka bërë edhe moderimin e mbrëmjes.

Një pikë interesante e mbrëmjes ka qenë edhe prezantimi i piktores së vogël, Abetare Berila, e cila ka hapur deri më tash një numër ekspozitash të suksesshme në Gjermani  dhe në Zvicër. Njëri nga mësuesit e saj të artit, piktori Arsim Berisha i dhuroi asaj me këtë rast një certifikatë.

Ndërsa piktorja e vogël i dhuroi ansamblit nikoqir dhe atij “Aktrimi” nga një pikturë.

Në fund, në një atmosferë spontane grupi i fëmijëve i ansamblit “Vatra”, dega në Winterthur ka luajtur një numër vallesh shqiptare.

 

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriRamadan Morina
  • Vendi ku vepron:Cyrihu-Zvicër
  • Profesioni:Aktor

  WHO’S WHO të tjera