Literaturë

Majlinda Nana Rama

Autore

Romani “Perandorët” i autores së re Majlinda Nana Rama nga Shqipëria, i botuar pak muaj më parë nga Shtëpia Botuese “Toena” ka pasur një pritje të ngrohtë në mesin e publikut lexues në Shqipëri. Edhe kritika letrare është treguar zemërgjerë me këtë paraqitje të re në letrat shqipe ndërsa në dy panairet e fundit të librit, në Prishtinë dhe në Fier, romani i përmendur ka qenë ndër më të kërkuarit.

Me këtë roman, autorja që jeton në Fier, ka bërë edhe disa paraqitje në mesin e publikut lexues në diasporën shqiptare, në Gjermani, Austri dhe në Zvicër.

Të hënën, Majlinda dhe romani i saj “Perandorët” pati promovimin në Qendrën Kulturore të Kosovës, në Cyrih. Një promovim i një libri që publiku ende nuk kishte pasur mundësinë ta njihte dhe i realizuar pa përgatitjen e duhur, doli mjaft i mirë, falë spontanitetit të organizatorëve dhe të autores. Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani, duke prezantuar autoren e librit u shpreh se qendra që drejton ajo është në dispozicion të vlerave kulturore dhe në këtë kontekst, promovimi i librit të shkrimtares Rama i bën nderë institucionit të përmendur.

Më tutje, poeti Sabit Gecaj në cilësinë e moderatorit ka bërë një prezantim te shkurtër të autores, libri i të cilës po promovohej. Sipas Gecajt, Majlinda Nana Ramaj në romanin e saj ka bërë një depërtim në jetën e shqiptarëve gjatë kohës së tranzicionit, duke përshkruar me një gjuhë moderne realitetin shqiptar aktual. Ai ka shtuar se autorja e sheh këtë realitet pa shumë optimizëm. Por, si rrëfim letrar, autorja përdor mjete shprehëse me të cilat abstragon rrëfimin trivial të vendosur në një lokacion konkret duke i dhënë atij karakter më universal.

Ndërsa redaktori i romanit kritiku i njohur letrar Behar Gjoka në parathënien e tij, një pjesë nga e cila u lexua edhe në promovim, shkruan se “ky roman të ofron një realitet të frikshëm, një pamje makabre të krimit dhe të pasojave të tij në përditshmërinë tonë. Ngjizja e tekstit vjen si rrëfim dhe dialog, strukturë dhe shprehësi, ku përplaset njerëzorja me çnjerëzoren, duke endur një libër me problematika shoqërore, të cilat zbulohen përmes toneve realiste dhe postmoderne, si dhe figurimit të karaktereve realiste, të cilat të grishin për ta lexuar romanin, si një grimcë tronditëse jetësore, që rroket dhe shqiptohet me anë të artit të fjalës”.

Publiku në sallën e vogël të QKK, në Cyrih ka marrë pjesë aktive në debatin e zhvilluar me rastin e promovimit. Me handikapin që kishin – pasi nuk kishin pasur mundësi ta lexonin librin – të pranishmit i kanë shtruar pyetje autores lidhur me romanin, pritjen që i është bërë atij në rrethet letrare të Shqipërisë por edhe lidhur me realitetin shqiptar në përgjithësi, pasi që ai realitet përbën “lëndën e parë” të këtij libri.

Majlinda Nana Rama ka theksuar se romani i saj, pos që është pritur mirë, edhe “është përkëdhelur” nga mediet dhe kritika letrare e Tiranës. Kjo për faktin se, siç është shprehur ajo, bëhet fjalë për një roman që trajton një temë të ndjeshme dhe të prekshme nga të gjithë, tranzicionin e dhimbshëm shqiptar që po zgjat tash mbi 20 vjet. Sipas autores, përcaktimi i saj që romanin ta pagëzojë me titullin “Perandorët” lidhet me personazhet e romanit, që janë njerëz nga shtresa e pasuruar rishtas, e pagdhendur  dhe e paskrupullt në shoqërinë shqiptare. Ata janë “perandorë” pasi që e kanë mbërthyer shoqërinë shqiptare duke ia zgjatur asaj makthin nga i cili nuk po mund të çlirohet tash sa vite.

Ajo tha se personazhet ekzistojnë në jetën reale në Shqipëri, madje janë edhe anëtarë aktive të partive të mëdha shqiptare. Ata dhe të tjerët si ata, ia zënë frymën dhe me dhunën që ushtrojnë nuk e lënë të zhvillohet shoqërinë shqiptare. Nana Rama përmes romanit të saj ka apeluar, madje ka klithur që personazhet e tilla, që në roman na vijnë të tipizuara mjaft saktë, shoqëria dhe shteti shqiptar t`i përjashtojë dhe t`ua pamundësojë helmimin e mëtejmë të realitetit shqiptar.

Aktivitetin e promovimit e ka përshëndetur edhe konsulli i Kosovës në Cyrih, Islam Spahiu.

Majlinda Nana Rama 2

 Biografi e shkurt

  • Emri, Mbiemri Majlinda Nana Rama
  • Prejardhja:Tepelenë-Shqipëri
  • Profesioni:Autore
  • Kontakti www.majlindarama.blogspot.com

  WHO’S WHO të tjera