Kulturë

Rehana Doko

Shkrimtare

Të shtunën që shkoi, në Emmenbrücke të Luzern-it u bë promovimi i romanit “Të çoroditur” të shkrimtares së re, Rehana Doko. Në një atmosferë artistike, autorja lexoi në të dy gjuhët, shqip dhe gjermanisht, fragmente nga romani i saj. Ajo përshendeti të pranishmit me një fjalë të shkurtë dhe ju përgjigj pyetjeve të parashtruara nga dashamirët e pranishëm të fjalës së shkruar.

Takimin, në të cilin pati edhe zviceranë, e moderoi Roza Berisha, në të dy gjuhët. Për muzikë u kujdes me një përkushtim të spikatur kitaristi i grupit muzikor “Who`s Elektra” nga Luzerni, Besart Berisha.

Për librin folën Isë Gashi dhe Bardhec Berisha.

Nëse duhet të veçojmë diçka që këtë promovim e dallonte nga të tjerët, ishte prania e të rinjve, të cilët edhe debatuan, madje me një nivel mjaft të mirë rreth librit. Duhet thënë se ishte ndër rastet e rralla kur të rinjtë janë të pranishëm dhe debatojnë në takime të tilla.

Duke marrë pjesë në debat, Besart Berisha tha se ne si shqiptarë duhet të mburremi me një shkrimtare të moshës kaq të re. Ai shprehu kënaqësinë që i ishte dhënë rasti për të bërë muzikë në këtë promovim.

Njëri nga autorët e vështrimeve të lexuara lidhur me librin, Isë Gashi foli fillimisht për familjen Doko dhe shkrimtaren, kurse në vazhdim i bëri një vështrim sociologjik romanit. Në këtë aspekt, ai e cilësoi atë si një vepër me vlerë të madhe. Është për t`u vlerësuar sidomos mënyra se si një vajzë 13 vjeçare, përmes një romani, e trajton jetën e përditshme, u shpreh Gashi.

Autori i vështrimit tjetër, Bardhec Berisha me pak fjalë njoftoi të pranishmit se promovimi i librit po bëhej nga Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër (SHKSHZ). “Rehana është anëtarja me e re e kësaj shoqate dhe i takon gjeneratës së dytë të mërgimtarëve që jetojnë në Zvicër (është sekondas)”, tha Berisha.

Ndërsa duke folur për biografinë e saj, ai përkujtoi se Rehana Doko është e lindur me 1995 në Ohër. Jeton në Ebikon të Luzern-it me prindërit e saj, prej të cilëve e ka përkrahjen më të madhe për punën dhe suksesin e saj. Ka kryer shkollën fillore në Root kurse tani është në vitin e katërt në gjimnazin Alpenquai të Luzern-it. Ky është romani i parë i saj. Ajo shkruan edhe poezi, të cilat ende i ka në dorëshkrim, dhe tregime, të cilat i ka të botuara nëpër gazetat vendore si p. sh. në “Neuer Luzerner Zeitung”.

“Rehana shkruan në gjuhën gjermane, por ajo e flet një shqipe të rrjedhshme dhe të pastër”, nënvizoi Bardhec Berisha.

Në vazhdim ai u fokusua në rrjedhën e romanit të promovuar. “Rehana në këtë roman trajton një plagë shoqërore e cila është bërë edhe fenomen i jetës moderne, ndarjen e prindërve. Ajo na tregon se si ndjehen fëmijët e prindërve të ndarë. Në romanin “Të çoroditur” përshkruhet përditshmëria e Bibit, Lulus, Maxit, Leos, Lilit etj. Përmes rrëfimeve të tyre përvijohet jeta e shumë fëmijëve dhe të rinjve tjerë që kanë përvoja të ngjashme.

Bardhec Berisha në vështrimin e tij ka folur në superlativ për mënyrën tërheqëse të rrëfimit, fabulën e qëndrueshme dhe për gjuhën e pasur me të cilën Rehana Doko na prezantohet në romanin e saj të parë, të shkruar kur ishte në moshën 13 vjeçare.

 Biografi e shkurt

  • Emri MbiemriRehana Doko
  • Prejardhja:Ohër-Maqedoni
  • Vendi ku vepron:Luzern-Zvicër
  • Profesioni:Shkrimtare