Kulturë

Saimir Pirgu

Tenor
Perdja në skenën e sallës luksoze të Operës së Cyrihut hapet me figurën dhe zërin e Saimir Pirgut, i cili luan rolin kryesor në shfaqjen “Rigoletto” të Gjuzepe Verdit. Dhe, perdja bie po ashtu me zërin e tij, që vjen nga prapaskena, duke kënduar arien e njohur “La donna è mobile”. Vetë subjekti i shfaqjes fokusohet në dramën jetësore të Rigoletto-s, palaços së oborrit, i cili vuan nga shtypja që i bëhet, veç tjerash dhe nga i zoti i tij, Duka i Mantovës, rol negativ, të cilin e luan Pirgu…

Saimiri është familjarizuar prej kohësh me Cyrihun, gjegjësisht me skenën operistike të këtij metropoli zviceran. Rreth 10 vite më parë ai ka luajtur në skenën e këtushme të operës rolin e Dukës së Mantovës në “Rigoletto-n“ e famshme të Verdit. Tash sërish në këtë shtëpi, ai luan po në “Rigoletto” dhe si gjithnjë, rolin e Dukës.

Para pak vitesh Pirgu kishte marrë pjesë me rolin kryesor, atë të Alfredos në një spektakël operistik të llojit të vet, në inskenimin e operës së njohur të Verdit “Traviata” të luajtur jo në skenë por në stacionin hekurudhor të Cyrihut. Loja impresionuese që bartej nga hapësirat mes peronave të trenit, te shkallët elektrike të stacionit e gjetiu, ishte transmetuar drejtpërdrejtë nga televizionet zvicerane. Dhe kishte lënë mbresa të thella te një publik i gjerë, i cili në kushte normale, vështirë “e gjen rrugën” deri tek teatri i operës…

Gjatë gjithë muajit shkurt Saimir Pirgu, tenori i ri, i njohur edhe si miku dhe pasuesi i denjë i Pavarotit, ishte sërish mysafir në metropolin zviceran. Në të gjitha, shtatë shfaqjet, salla ka qenë e mbushur tërësisht dhe biletat kanë qenë paraprakisht të shitura.

Kënaqësinë që të përjetojmë artin e tij të madh e patëm në shfaqjen e “Rigoletto-s” të dhënë të martën, më 26 shkurt në “Opernahus Zürich”. Me këtë rast ia “vodhëm” Pirgut pak minuta nga agjenda e tij e ngjeshur, për t`iu drejtuar lexuesve të albinfo.ch.

Albinfo.ch: Posa përfundoi shfaqja e operës “Rigoletto” të Verdit në skenën e Cyrihut. Bëhet fjalë për shfaqjen e fundit të këtij cikli, të filluar me premierën e dhënë më 3 shkurt. Si ndjeheni pas gjithë këtij angazhimi?

Saimir Pirgu: Në fakt “Rigoletton” nga 3 shkurti e këndej e kemi shfaqur gjithsej shtatë herë. Sigurisht, ka qenë një periudhe mjaft e ngjeshur me punë. Ndërsa këtu do të jem sërish në muajin maj, kur do ta shfaqim operën “Traviata” që jemi duke e realizuar në shtëpinë operistike “Metropolitan” të Nju Jorkut. Nesër do të jem në Nju Jork për të vazhduar provat. Premiera shfaqet më 14 mars.

Që t`ua përkujtoj, në Cyrih kam bërë “Rigoletto”-n edhe para dhjetë vitesh.

Albinfo.ch: Dhe, çfarë solli të re versioni më i ri i “Rigoletto”-s së Cyrihut?

Saimir Pirgu: Është një version modern, komplet i ri, i moduluar në kushtet e ditëve tona, përfshirë këtu edhe gjithë agresivitetin që karakterizon kohën tonë. Dhe këtu ka qenë edhe e bukura e kësaj shfaqjeje po aq sa edhe vështirësia e realizimit të saj. Ndër risitë hyn dhe skenografia qëllimisht e varfër dhe kostumet e kohës moderne që veshn artistët. Ndërsa shfaqja e para 10 viteve ka qenë brenda kornizave të klasikes.

Albinfo.ch: Ju, sigurisht edhe në shfaqjen e përmendur keni luajtur rolin e Dukës së Mantovës?

Saimir Pirgu: Po, sigurisht pasi që vetëm atë rol mund ta luaj unë…

Albinfo.ch: … Për shkak të moshës, ose tipit të zërit?

Saimir Pirgu: Për këto që thatë por edhe për shkakun se Duka di Mantova duhet të jetë i bukur, fascinant … (qesh)

Albinfo.ch: Kemi lexuar se në shfaqjet e para (nga fillimi i shkurtit) ka pasur edhe reagime të një pjese të publikut, nisur nga ky inskenim ndryshe…

Saimir Pirgu: Po, është e kuptueshme, gjithmonë do të ketë persona të tillë brenda publikut që duan ta shikojnë gjithnjë atë shfaqje me të cilën janë mësuar, me këtë rast, versionin klasik. Megjithatë, kritika, sidomos ajo ndërkombëtare dhe shtypi e kanë vlerësuar shumë lartë shfaqjen në këtë variant. Po ashtu është e kuptueshme se mund të ketë edhe zëra kundërshtues, sepse ky është teatri…

Albinfo.ch: Megjithatë është një inercion që publiku më lehtë të identifikohet me rolet pozitive se sa me ato negative, çfarë ishte roli juaj në shfaqjen “Rigoletto”. A keni përjetuar diç të tillë me rastin e kësaj opere?

Saimir Pirgu. Absolutisht jo. Sado që të jetë urrejtur Duka si njeri, atë e kanë dashur gjithmonë si rol. Sido që të jetë, ariet ndër më të famshmet në literaturën botërore të muzikës, janë pikërisht ato të Duka di Mantova-s si për shembull perla e njohur “La donna è mobile” etj.

Por nuk diskutohet, në këtë inskenim, roli im është edhe më negativ se në inskenimet tjera. Me tekstin e njëjtë, regjisorja e ka ashpërsuar paraqitjen e Dukës.

Albinfo.ch: Cila është shfaqja e radhës që jeni duke e përgatitur ose do ta filloni, pas “Rigoletto-s”?

Saimir Pirgu: Unë jam i angazhuar në më shumë se 20 role, në shtëpi të ndryshme operash, të cilat i shfaq paralelisht gjatë gjithë kohës.

Premiera e radhës që do ta kem është “Traviata” (bashkë me Placido Domingon) të cilën jam duke e përgatitur në operën “Metropolitan” të Nju Jorkut, në mënyrë paralele me këtë të Cyrihut. Dmth. gjatë gjithë kësaj kohe të provave kam qenë “në ajër”, në relacionin Nju Jork-Cyrih. Pardje kam ardhur nga Nju Jorku dhe nesër (e mërkurë) do të fluturoj sërish për atje… Kështu do të jem edhe një kohë, pasi që seria tjetër e shfaqjeve të “Rigoletto”-s në Operën e Cyrihut do të jetë në muajin qershor. Dhe siç e përmenda, me “Traviata”-n do të jem këtu në muajin maj.

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriSaimir Pirgu
  • Prejardhja: Elbasan-Shqipëri
  • Profesioni:Tenor
  • Kontakti www.saimirpirgu.com

  WHO’S WHO të tjera