Arkitekt/e

Shpëtime Kamberi

Arkitekte

Presidentja dhe ministrja e Jashtme e Zvicrës, Micheline Calmy Rey, do të marrë gjatë ditës çmimin “Diaspora” që i ndan mërgata kosovare. Arkitjektja kosovare, Shpëtime Kamberi, e lindur dhe e rritur në Bernë ka disenjuar trofeun për presidenten zvicerane dhe do t’ ia dorzojë vetë në solemnitetin e sotëm në Bernë. Kosovarja që punon në kompanitë e njohura të arkitekturës në Zvicër, si Gucci, në një intervistë për albinfo.ch thotë të ketë qenë e privilegjuar që i është dhënë mundësia ta bëjë disenjin e trofeun në emër të komunitetit shqiptar në Zvicër, për një personalitet mjaft të rëndësishëm të politikës zvicerane, e cila ka dhënë kontribut të madh në integrimin dhe krijimin e një imazhi më të fortë të Kosovës dhe kosovarëve në Zvicër.

albinfo.ch: Çka do të thotë për ju që pikërisht të ndani këtë çmim që e keni disenjuar vetë si arkitekte?

Shpëtime Kamberi: Është një privilegj i madh të ndaj çmimin në emër të diasporës dhe sigurisht që ndiej një kënaqësi kur mund ta falënderoj në mënyrë të veçantë dhe unik presidenten dhe ministren e Punëve të Jashtme, Micheline Calmy-Rey, e cila kontriboi në çështjen e njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe në zhvillimin e vendit për të cilin ndjehem shumë e afërt.

albinfo.ch: Çka ju ka inspiruar të disenjoni këtë mirënjohje për Calmy Rey, a mund të na zbuloni më shumë rreth shpërbilimi, i cili do të jetë në pronësi të Calmy Rey, të premten?

Shpëtime Kamberi: Insiprimi ka qenë një proces i gjerë. Fillimisht kam reflektuar me një përkushtim të madh për temën „Diaspora“ se çdomethënie ka dhe si mund të interpretohet në përgjithësi dhe në kontekstin aktual.

Gjithashtu jam munduar në mënyrë të një skulpture kohore t’i transferoj edhe pikëpamjet e mia personale për këtë temë dhe në vazhdim të konceptimit jam përqendruar në disa elemente kryesore të kësaj teme të gjerë. Qëllimi ishte që të ketë komponente që karakterizohen me unifikim, falënderim, lidhshmëri, thjeshtësi. Mbi të gjitha, për mua ishte e domosdoshme që trofeu të jetë autentik dhe të bëjë të dukshëm mesazhin, dhe jo anasjelltas.

albinfo.ch: Çfarë ndjenja kishit vitin e kaluar, kur Micheline Calmy Rey duhej ta merrte këtë çmim dhe nuk e mori, çka menduat në ato momente se do të shkonte huq puna juaj?

Shpëtime Kamberi: Çmimi nuk u refuzua, por situata nuk lejoi të shpërblehej një çmim në ato rrethana.

Në asnjë moment nuk kam menduar që puna ime do të shkoj huq. Kisha bindjen e thellë se do të vijë momenti i përshtatshëm për të shpërblyer z. Calmy-Rey.

Këtu dua të cek gjithashtu që koha e krijimit dhe zbatimit të punimit ishte për mua eksperiencë e mirë, sepse kisha një ekip të shkëlqyeshëm dhe shumë të motivuar dhe kjo për mua ka gjithashtu shumë vlerë.

albinfo.ch: Çfarë konkurrence kishte dhe si u zgjodh puna juaj që të disenjohet shpërblimi për një personalitet mjaft të rëndësishëm për kosovarët?

Shpëtime Kamberi: Kishte konkurrencë nga brezi i parë dhe i dytë. Pas një konkursi publik është bërë edhe përzgjedhja e punimit. Për mua ishte një detyrë shumë kurioze, të cilës i kushtova vëmendje. Besoj që pikëpamjet e mia, si vajzë e lindur dhe e rritur në Zvicër, me një lidhshmeri të veçantë me Kosovën, më kanë begatuar dhe kanë pasqyruar gjithashtu krijimin e disenjit.

albinfo.ch: Çka po punon Shpëtimja kohët e fundit, me çka njihet në profesionin e saj? A jeni shpërblyer ndonjëherë për punën tuaj?

Shpëtime Kamberi: Aktualisht punoj në Bernë si arkitekte në një kompani të njohur në skenën e arkitekturës dhe ndërtimit. Kryesisht merrem me projekte të ndërtimeve publike për kompani të njohura ndërkombëtare.

Tani menaxhoj një projekt të madh në kantonin e Tiçinos për firmën Gucci, projekt me të cilin jam shumë e angazhuar.

Kam marrë gjithashtu shpërblime për projekte në konkurse të ndryshme, por për mua s’ka shpërblim më të mirë se sa kur më besohet një punë me një përgjegjsi të madhe, ku mund të dëshmoj dhe të zgjeroj njohuritë e mia.

 Biografi e shkurt

  • Emri MbiemriShpëtime Kamberi
  • Prejardhja:Bern-Zvicër
  • Vendi ku vepron:Bern-Zvicër
  • Profesioni:Arkitekte