Politikë

Nue Oroshi

Politikan

Nue Oroshi, historian dhe publicist, në nëntor të vitit të kaluar ka fituar kandidaturën brenda partisë së CDU-së për deputet në Asamblenë e Kielit. Në zgjedhjet e 26 maj, CDU ka dalur partia e dytë në këtë qytet por me një ngritje te përqindjes. “Fitorja ka ardhur si rezultat i mbështetjes së komunitetit shqiptar që jeton dhe vepron në këtë pjesë të Gjermanisë”, tha Oroshi për “PrizrenPress”.

Oroshi në prill të vitit të kaluar, pati dhënë dorëheqje të parevokueshme nga detyra e këshilltarit Komunal në Asamblenë e Prizrenit. Ai ishte i pakënaqur për mënyrën e shpërndarjes financiare për përkrahjen e komuniteteve si dhe për ndryshimin e logos të Lidhjes së Prizrenit, e cila është edhe identifikim i këtij qyteti historik.

Pas dorëheqjes së tij nga detyra e Këshilltarit Komunal të Prizrenit, Oroshi mori rrugën për ta fituar kandidaturën përbrenda partisë CDU për deputet në Asamblenë Komunale të Kielit të Gjermanisë. Ai ishte kandidat për deputet në zonën zgjedhore 10 në Metenhof, nga gjithsej 25 zona sa i ka qyteti i Kielit.

Oroshi tha se kjo fitore është e mbarë komunitetit shqiptar. “Kjo fitore nuk është vetëm e imja personale, por është sukses i mbarë komunitetit shqiptar, që jeton e punon në Republikën e Shlesvig Holshtajnit, ngase ata e kanë kuptuar se pa angazhim sukseset nuk vijnë vetvetiu. Unë shfrytëzoj rastin t’i ftoj të gjithë të rinjtë dhe të rejat që të inkuadrohen edhe në jetën politike dhe ta afirmojmë kulturën tonë të çmuar, sepse kemi kapacitete dhe aftësi intelektuale”, tha Oroshi.

Sipas tij, mërgimtarët shqiptarë nga 26 maj për herë të parë do ta kenë një deputet në Asamblenë e Qytetit te Kielit të Gjermanisë. “Me zgjedhjen time deputet i Kielit, shqiptarët do ta kenë adresën direkte të paraqitjes së problemeve të ndryshme, të përditshmërisë, por edhe avansimin politik si komunitet”, tha Oroshi.

Ai premtoi se përveç me problemet e mërgatës do të punojë edhe në fuqizimin e politikës së Gjermanisë me atë të Kosovës. “Kam mundësi që përveç problemeve të mërgatës të ndimojmë dhe fuqizojmë politikisht edhe kontaktet me komunat e ndryshme në Kosovë, si në aspektin e ngritjes politike, por edhe sjelljen e investitorëve nga Gjermania në Kosovë”, premton Oroshi.

Oroshi tha se personalisht do të shërbejë si urë lidhëse në mes politikës gjermane dhe asaj shqiptare.”Unë do të punoj që në të ardhmen të kemi më shumë bashkëpunime të ndërsjella në mes qyteteve gjermane si dhe qyteteve shqiptare në përgjithësi, e sidomos do të mundohem që t’i koordinoj politikat lokale që në të ardhmen shumë politikanë lokalë të kenë kontakte me kolegët e tyre në Gjermani dhe ta mësojnë sistemin e qeverisjes gjermane”, shkruan Prizrenpress.

 Biografi e shkurt

  • Emri MbiemriNue Oroshi
  • Prejardhja:Caparc-Prizren-Kosovë
  • Vendi ku vepron:Kiel-Gjermani
  • Profesioni:Politikan