Të ndryshme

Qerim Shkreli

Biznesmen

Kërkesa për mjekë në Gjermani është shumë e madhe. Sidomos në vendet rurale dhe në periferi ka mungesë të madhe mjekësh. Këtë gjendje e kanë identifikuar agjencitë për rekrutimin e mjekëve nga jashtë, të cilat po bëjnë biznese të mira në këtë drejtim. Në veçanti në Evropën e lindjes dhe atë të juglindjes.

Qerim Shkreli, i diplomuar në shkencat e sportit, nga viti 2010 udhëheq një agjenci për ndërmjetësim personeli. Shkreli i doktoruar në Heidelberg, ka ndërruar ndërkohë profesionin e tij dhe ndihmon mjekët, dentistët, inxhinierët, fizioterapeutët, farmakologët, infermierët etj. që të nisin një fillim të ri në vendin e ri, në Gjermani. Dhe interesimi është i madh.

Ai thotë se vetëm në aktivitetin e parë informativ të zhvilluar në Tiranë kanë qenë të pranishëm 650 mjekë. Sot, ai përkujdeset për 1200 persona të kësaj kategorie, thotë Shkreli për gazetën Frankenpost. Ata vijnë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Kroacia. Ai i ka ndërmjetësuar deri më tash rreth 400 mjekë në spitale të ndryshme në gjithë Gjermaninë, gjysmën e të cilëve në Bavari.

Thotë se mban kontakte me 30 deri 40 klinika.

Nuk kanë qenë arsyet financiare ato që e kanë shtyrë shqiptarin nga Kosova të hapte agjenturën. Gjatë pushimeve në Shqipëri atij po i rrëfente një mjeke shqiptare me sy që i shkëlqenin nga gëzimi se si ka paguar “vetëm 25 mijë euro” mitë për të zënë një vend pune që ia mundëson specializimin.

“Ajo shprehej e lumtur pasi që, ndryshe, për një gjë të tillë mund të paguante deri në 50 mijë euro”. Diçka e patolerueshme, thotë Shkreli. Nga ai moment ai mori vendimin të ndihmonte mjekët e rinj.

Klientët e tij tashmë marrin një paketë të plotë shërbimesh. Agjencia merr përsipër kryerjen e të gjitha procedurave për pranim në punë, si për lejen profesionale, njohjen e diplomës në mjekësi dhe për lejen e qëndrimit.

Shkreli kujdeset në radhë të parë edhe për strehimin e klientëve të tij dhe për kurset e gjuhës. Ai thotë: “Ata që vijnë përmes meje, janë të aftësuar në njohjen e gjermanishtes, njohin rregullat, ligjet dhe kulturën si dhe janë të gatshëm për të punuar ne mjekësi”. Mësimi i gjermanishtes për të është në maje të prioriteteve.

Shefi i agjencisë ka plane edhe më të mëdha për të ardhmen. Dëshiron të ngrejë një institut gjuhësor, në Stadt Hof, thotë Shkreli. Është duke kërkuar objekte të përshtatshme, zbulon ai. Ato objekte duhet të kenë vend për mbajtjen njëkohësisht të së paku dhjetë kurseve. Këtu klientët e tij do të përmirësonin gjermanishten e tyre në mënyrë të specifikuar.

Dhe ky nuk do të ishte instituti i parë i tij gjuhësor. Në Kosovë dhe në Shqipëri Shkreli tashmë drejton disa akademi të tilla, në të cilat mjekët dhe personeli tjetër mjekësor, pastaj kujdestarët e pleqve dhe inxhinierët, marrin të ashtuquajturën Certifikatë B për gjuhën gjermane. Kusht minimal ky për të gjetur veten në Gjermani.

30.09.2013

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriQerim Shkreli
  • Prejardhja:Kosovë
  • Profesioni:Biznesmen
  • Kontakti KS 044135146

  WHO’S WHO të tjera