Pronar

Ariana Merlaku

Afariste/Gazetare

Gjithçka ka filluar nga rastësia. Mbas një kohë të shkurtër që kishte ndërprerë angazhimet në gazetari në disa revista dhe gazeta shqiptare në Zvicër, Ariana e kishte parë veten përpara një dileme: do të studionte edhe njëherë apo do të ndiqte një rrugë komplet të re? Me çfarë do të merrej këtej e tutje për tu ndjerë e plotë dhe për tu identifikuar me profesionin?

“Një mike që kishte një firmë të vogël më udhëzoi të themeloja edhe unë një firmë. Ku i dihet – kishte thënë ajo atëhere, mbase mund të kesh sukses.”

Kështu kishte filluar historia dhe tani dymbëdhjetë vjet më pas, Ariana Merlaku, shqiptarja në ballë të një firme ndërtimi punëson rreth 80 punëtorë ndërtimtarie.

Puna, të cilës i kishte hyrë ajo dukej më shumë se një sfidë, një aventurë, hyrje në një “terren të huaj” madje, në një “terren të rezervuar vetëm për meshkuj.” Edhe sot ajo është jo vetëm femra e vetme shqiptare që udhëheq një firmë ndërtimi, por me sa ka parë e dëgjuar edhe femra e vetme në përgjithësi në Cyrih e më gjerë e angazhuar në këtë lëmi.

“Ja ka vlejtur rreziku dhe sakrifica.”- është e bindur ajo sot, kur shikon mbrapa në kohë. Një numër i madh ndërtimesh në regjionin e Cyrihut, por dhe në qytete të tjera në Zvicër, mbajnë vulën e një gruaje me profesion dhe emër paksa ekzotik për zviceranët, Ariana Merlaku.

Por si është ndjerë si femër dhe si shqiptare në një vend të huaj, duke guxuar të provojë veten në një arenë të rezervuar për burra me sfida jo pak të vështira?

“Kur ke vullnet dhe e do sinqerisht punën që bën, do e gjesh gjithmonë rrugën drejt marrëveshjes dhe suksesit. ” është e bindur Ariana sot. “Të nevojitet sigurisht edhe një “porcion i madh” fati, por gjithsesi puna, angazhimi, stresi dhe lodhja janë baza mbi të cilat ndërtohet suksesi.”

Duke folur për fillimet e punës, ajo thotë se në atë kohë nuk i janë dashur shuma të mëdha parash për të nisur veprimtarinë.

Si grua dhe si shqiptare në “Baustelle”, shihesha si një “Ufo”

“Në fillim të gjithë e nisin me akordancë, si nënkontraktues dhe për këtë nuk të nevojiten kushedi sa të holla. Pastaj, duke shtuar punën shtohen edhe të ardhurat ashtu sikurse dhe obligimet. Kështu në muajin e parë unë kisha shtatë punëtorë ndërsa në fund të vitit, numri ishte rritur në 14. Ndërsa fillimisht kishim problem të siguronim punë, në fund të vitit të parë ne kishim aq shumë punë sa që nuk arrinim të gjenim punëtorë për t`i mbuluar ato. Natyrisht cilësia dhe udhëheqja e punës ishte ajo që kërkohej kështu që filluan të na besonin punë gjithnjë e më të mëdha. “Nuk di si ta shpjegoj, po ndodhte një mrekulli”, thotë Ariana tek përpiqet të tregojë “sensacionin” që ka përjetuar.

“Si shqiptare dhe pronare e një firme ndërtimi shihesha si “ufo”, si një dukuri jo e zakonshme. Thjesht unë qëlloja në kohën dhe vendin e duhur për të marrë punë të reja, për të lidhur marrëveshje të reja. Jam tmerruar me një rast në ato fillime kur më thanë se do të ma besonin një kantier me vlerë prej 20 milionë frangash. Në fillim kisha pak frikë, por e mora me përkushtimin dhe në fund e realizuam me sukses. Pas kësaj erdhën projekte me shifra edhe më të mëdha… Tashmë besimi ishte krijuar, puna e nxirrte punën.

Lidhur me perceptimin e saj nga ana e punëtorëve si shefe femër, Ariana ka një shpjegim interesant. “Kam arritur në përfundimin se një kombinim i tillë është shumë më i suksesshëm, se njeriu është njeri, pavarësisht përkatësisë nacionale, fetare etj. Duke përqafuar logjikën se ti je pjesë e tyre, e punëtorëve që të rrethojnë, aty ngjizet një atmosferë familjare e solidarësie. Atëherë nuk ka më rëndësi a je grua a burrë, a je shqiptare apo franceze. Gjithmonë e kam parë veten si punëtore të firmës. Unë e kam një profesion, një pozicion të punës, ti e ke një tjetër, unë të siguroj punë, duke kontaktuar klientin, nënshkruar kontrata etj. e ti do të punosh për vete dhe për firmën”.

Maksimalisht Ariana ka pasur 80 punëtorë “nën komandë”. Firma merret vetëm me ndërtim të lartë dhe në mesin e ndërtesave ku janë angazhuar punëtorët e saj është edhe Maintower e njohur e Oerlikon-it të Zürich.

Krahas veprimtarisë ndërtimore, Ariana ka edhe firmën e patundshmërive, gjegjësisht administron një numër të madh apartamentesh në Zürich e më gjerë.

Puna në kantiere nuk ia zbeh pasionin për gazetarinë  

Interesante është që dhe pas gjithë kësaj pune ajo thotë se brenda vetes vazhdon të ndjehet gazetare, njeri me interesime intelektuale. “Ndërtimi dhe patundshmëritë përbëjnë anën materiale timen, ndërsa gazetaria dhe puna intelektuale anën shpirtërore, atë që më bën të ndjehem e plotë. Së shpejti do të doktoroj në shkencat politike në Tiranë dhe në një të ardhme jo shumë të largët e shoh veten të angazhuar edhe në politikën shqiptare. Aty – thotë ajo, do ta ndihmojnë me siguri edhe përvojat e bëra si afariste dhe si gazetare. Nuk mund ta braktis njërën për tjetrën. Ato janë të ndërlidhura fort, kanë ndihmuar gjithmonë njëra – tjetrën dhe do vazhdojnë ta ndihmojnë.”

Ajo nuk ia ka frikën realitetit paksa më të ashpër ballkanik, gjithnjë duke pasur parasysh besimin në kapacitetin që ka dhe në përvojat e fituara me punën në perëndim.

“Mua më udhëheq në jetë mendimi pozitiv se duke punuar me sinqeritet dhe duke shtyrë përpara idetë konstruktive edhe shoqëria të kupton dhe të ndihmon në realizimin e tyre.”

Ajo që aktualisht i mungon Arianës është që të ketë një ditë të lirë në javë për të shkuar vetëm në shqip. “E ndjej mungesën e të shkruarit për ndonjë gazetë në gjuhen shqipe. Kjo do të më përmbushte profesionalisht. Jam në negociata me një televizion privat nga Shqipëria për të drejtuar një emision njëherë në muaj, por ende nuk është konfirmuar ”.

Të përmendim se Ariana ka bashkëpunuar si studente e re në Tiranë me organet e atëhershme të shtypit atje ndërsa në Zvicër ka punuar fillimisht si gazetare në gazetën “Bota sot” pastaj ka udhëhequr si kryeredaktore revistat mujore për të rinj si: “Zëri i zemrës”, “Rinora” etj. Ariana shkruan njëkohësisht dhe për mediet zvicerane. Ndaj kthimi i saj në gazetarinë shqiptare qoftë edhe i pjesshëm, nuk është kthim në terren të huaj, përkundrazi. Do të jetë kthim i një gazetareje që kërkon pjesën e saj paksa të humbur.

——

Femra në kantier, një dukuri jo e zakonshme

Si është ndjerë si femër dhe si shqiptare në një vend të huaj, duke guxuar të provojë veten në një arenë të rezervuar për burra me sfida jo pak të vështira?

“Si shqiptare dhe pronare e një firme ndërtimi shihesha si “ufo”, si një dukuri jo e zakonshme. Thjesht unë qëlloja në kohën dhe vendin e duhur për të marrë punë të reja, për të lidhur marrëveshje të reja

 

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriAriana Merlaku
  • Prejardhja:Tirana-Shqipëri
  • Vendi ku vepron:Cyrih-Zvicër
  • Profesioni:Afariste/Gazetare

  WHO’S WHO të tjera