Sindikata

Sindikata Unia

Shoqatë profesionale

Sindikata Unia është një histori suksesi. Ajo sot është sindikata më e madhe dhe më e fuqishme e Zvicrës. Për shumkënd emri „Unia“ ndërlidhet me angazhim të suksesshëm për përmirësimin e pagave, të drejtave në punë, mbrojtje të shëndetit, pensioneve. Suksesi më i madh i kësaj Sindikate është krenaria dhe dinjiteti i punonjësve, të cilët kanë kuptuar, se vetëm së bashku janë më të fortë.

Vitet e 90-eta ishin vite të krizës ekonomike. Suksesi ekonomik zvicëran pësoi një frenim të fortë. Numri i të papunëve rritej, investimet mungonin dhe shoqëria gjendej në një tranzicion politik. Mu në këto vite fillon ripërtëritja e sindikatave, të cilat në vitet e 80-ta kishin rënë në gjumë. Me fushatën për paga minimale mbi 3000 Franga dhe aksioneve konkrete nëpër fabrika, kantiere dhe vendet e ndryshme të punës, ato fillojnë të bashkojnë punëtorët. Sukseset nga këto aksione krijojnë bindjen te punëtorët se shumëçka mund të ndryshojë nëse bashkojnë forcat. Bashkimit të tri Sindikatave në Unia i paraprin suksesi i ndërtimtarëve, të cilët me kërkesën “40 vite punë në ndërtimtari janë mjaftë – pensionim me 60 vjet tash!”.

Fillet e një lëvizje të suksesshme

Bashkimit të tri sindikatave më të mëdha, sindika e ndërtimtarisë dhe industrisë (GBI) si dhe sindikata e Metalistëve dhe Orëndreqësve (SMUV) zhvillonin bashkë projekte të shumta. Pas diskutimeve interne, jo edhe aq të thjeshta, erdhi deri tek rezultati i pritur: në vitin 2004 në Bazel u zhvillua kongresi themelues i Unia-s. Me këtë rast sindikatat më të mëdha të Zvcirës GBI dhe SMUV arritën të fuzionojnë me sindikatën e vogël të shërbimeve VHTL (Sindikata e shitjes, tregtisë, transportit dhe artikujve ushqimor) si dhe ACG (Shoqata e nëpunësve të Gjenevës).

Një fuzion i tillë do të mundësojë që edhe sektori i shërbimeve më në fund të organizohet fuqishëm në sindikatë. Bashkimi i fuqisë kishte për qëllim rritjen e mundësisë goditëse të sindikatave karshi orientimeve neoliberale në rritje në radhët e punëdhënësve dhe të shumicës së djathtë politike në vend. Aftësia mobilizuese si dhe aftësia luftarake përmes Unia-s pritej të bëhej edhe më e madhe.

Të arritura nëpër sektorë të ndryshëm

Përkundër shumë vështirësive në sektorë të shumtë ekonomik megjithatë mund të flitet për zhvillime të suksesshme. Ndërtimi i mëtejmë i sektorit terzier është në zhvillim e sipër. Tanimë Unia në sektorin e shërbimeve numëron 50‘000 anëtarë, pra dyfish më shumë se sa para fuzionimit në vitin 2004. Bashkimi i forcave ka shënuar përparime gjithashtu edhe në sektorët tradicional. Kështu edhe në sektorin e tregtisë është rritur prezenca sindikaliste dhe në ndërkohë i tërë sektori është mbuluar me Kontrata Kolektive të Punës. Konfrontimet e shumta mbi Kontratën Kombëtare të Punës në sektorin e ndërtimtarisë kryesore, në vitit 2007 dhe 2011 kanë treguar se Unia është në gjendje të udhëheq bisedime të gjithmbarshme. Këtu duhet patur parasysh pozitën e vështirësuar sindikaliste për shkak të ndrrimit të stafit të përhershëm të punonjësve nëpër ndërmarrje si dhe rritja e subndërmarrjeve (nënkotraktuesve) e poashtu edhe rritja e numrit të të punësuarve temporal. Vlen të theksohet se një fitore vendimtare strategjike ka arritur të festoi sektori i industrisë, ku për herë të parë janë përcaktuar pagat minimale në Kontratën Kolektive të Punës në Industrinë e metalit, atë elektrike dhe të makinave (MEM).

Angazhim i vazhdueshëm edhe për migrantët

Në 10 vitet e fundit UNIA është anagzhaur fuqishëm në shumë lëmi: qoftë për pensionimin e mëhershëm në sektorin e ndërtimtarisë dhe tregtisë, qoftë kundër orarit të zgjatur të punës nëpër shitore, apo edhe kudnër dumpingut në paga dhe vjedhjes së pensioneve.

Unia është angazhuar në vazhdimësi edhe për migrantët. Qoftë për të drejtat nga rrafshi i sigurimeve shoqërore apo edhe kundër iniciativave të panumërta ksenofobe, sikur ajo për dëbim ose atë mbi migrimit masiv. Edhe në të ardhmen ky angazhim do të vijoj të fuqizohet edhe më shumë!

Sindikata Unia dhe shqiptarët e Zvicrës

Në sindikatën Unia, nga gjithsej 200’000 anëtarë, mbi 100’000 anëtarë janë me prejardhje jashtë Zvicrës, nga të cilët rreth 15’000 janë shqiptarë. Për të komunikuar më mirë, për të mobilizuar dhe organizuar edhe punëmarrësit me prejardhje shqiptare në sindikatën Unia përpos aktivistëve sindikalistë shqiptar janë të punësuar një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në stafin profesional të saj. Unia publikon edhe fletëpalosje, broshura e materiale të ndryshme informuese nga sektorë të ndryshëm të botës së punës dhe jetës shoqërore në Zvicër si dhe nxjerrë edhe shtojcën e gazetës sindikaliste Horizonte edhe në gjuhën shqipe.

Nga angazhimi i sindikatës Unia në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar kanë përfituar edhe shqiptarët. Këtu përpos përfitimeve të përgjithshme nga Kontratat Kolektive të Punës, të drejtat dhe mbrojtjen në punë, do të veçonim angazhimin e Unia-s për qarkullimin e lirë edhe të migrantëve shqiptarë të punësuar në Zvicër në hapësirën Shengen e veçanërisht angazhimin i gjithanshëm i saj dhe partnerëve tjerë për Marrëveshjen e anuluar ndërshtetërore mbi Sigurimet Shoqërore mes Zvcirës e Kosovës, me ç`rast shumë punëmarrës  nga Kosova, si kontribuuesit kryesorë në të dy vendet dhe shoqëritë, vazhdojnë të përjetojnë diskriminim selektiv nga lëmi i sigurimeve shoqërore, për shkak të mosmarrëveshjeve dhe mungesës së vullnetit të mirë në mes të  zyrtarëve të dy vendeve. Ky angazhim shpresojmë të kurorëzohet me një zgjidhje të ndërmjetme deri tek negocimi i  një Marrëveshjeje të re në fjalë.

Edhe përkundër rezultateve të arritura, sindikata Unia zotohet se do të angazhohet edhe më tej fuqishëm për të avancuar të drejtat e të gjithë punëmarrësve dhe për ti bëre ballë sulmeve për dobësimin e sindikatave dhe lëvizjeve punëtore gjithandej si dhe sulmeve karshi të arriturave të deritashme në botën e punës. Dhe edhe në të ardhmen nën moton: Bashkë jemi më të fortë!

Sindikata Unia1

Osman Osmani, sekretar sindikal për migracion në Unia

 Biografi e shkurt

  • Emri MbiemriSindikata Unia
  • Profesioni:Shoqatë profesionale