Politikë

Qëndresa Sadriu

Politikane

Zgjedhjet e fundit në Glattbrugg do të sjellin në parlamentin e komunës një deputete 19-vjeçare, e cila është deputetja e parë dhe më e re, jo vetëm shqiptare në historinë e kësaj komune. Vetëm para një viti ishte anëtarësuar në radhët e SP-së, por ajo me shpejtësi zuri hapin në politikë, duke arritur që të fitojë më së shumti vota në mesin e të rinjve. Zëri i Qëndresës do të dëgjohet në parlamentin e Glattbrugg-ut.

Kjo tashmë është e sigurt, ngase vendin në këtë mandat do t’ia lirojë njëri nga kolegët e saj zviceran që do të transferohet diku tjetër.

E entuaziasmuar për suksesin e arritur, 19-vjeçarja me origjinë nga Gjilani ka rrëfyer në një intervistë për albinfo.ch për eksperiencën e deritanishme politike.

“Unë qe një vit kam hyrë në SP dhe duke e krahasuar këtë kohë të shkurtër në politikë, jam shumë e kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve, sepse njëherësh jam edhe kandidatja më e votuar prej të rinjve“, ka deklaruar Qendresa.
Në përbërjen e kaluar SP-ja në Glattbrugg kishte pasur vetëm shtatë ulëse në asamble, ndërsa tani, pas zgjedhjeve të fundit, i kanë mbetur gjashtë sish.

“Me vota jam radhitur e shtata, mirëpo edhe dy muaj njëri kandidat nga SP-ja e liron vendin për mua”, thotë politikania e re, Qëndresa Sadriu.
Ajo thotë të jetë votuar më shumë nga shqiptarët.

„Edhe nga zviceranët mendoj që kam marrë vota dhe me besimin e tyre që ma kanë dhënë unë jam këtu ku jam”, thotë ansamblistja e re.
Prej 16.000 banorë sa janë gjithsej në Glattbrugg, diku 2500 deri 3000 thuhet të jenë shqiptarë.

Komuniteti shqiptar thuhet të jetë i organizuar mirë nëpërmes shoqatave dhe organizimeve të tjera në nivel komune. Këtë më së miri e dëshmojnë edhe zgjedhjet e fundit, për të cilat ishte bërë thirrje të shfrytëzohet e drejta për të votuar në tubime të ndryshme të organizuara nga shoqata të shqiptarëve.

Edhe Qëndresa Sadriu është pjesë e këtyre organizimeve dhe sukseseve të shqiptarëve të këtushëm.

“I falënderoj të gjithë pa dallim, të gjithë ata të cilët më ndihmuan, më këshilluan dhe më përkrahën me votën e tyre që të arrij fitoren. Falënderim të veçantë kam për familjen time, për prindërit e mi, që më përkrahën dhe vazhdimisht më përkrahin pa ndalur në asnjë çast që të eci përpara”, thotë Qëndresa.

Jeta e Qëndresa Sadriut është me mjaft angazhime, ajo përpos që punon si ndihmëse e stomatologut, në të njëjtën kohë edhe ndjek mësimet e maturës.

Ndërsa ajo që e bën të dallohet nga të tjerët është angazhimi humanitar për t’i ndihmuar fëmijët që janë të sëmurë nga kanceri në Zvicër.
Një aktivitet ky shumë domethënës për Sadriun. Ajo po bashkëpunon shumë ngushtë me shoqatën “Kinder Krebshilfe Schweiz” dhe me organizime të ndryshme, ku ajo me fjalime të saj para publikut i bën njerëzit që t’i ndihmojnë më shumë fëmijët që janë të sëmurë nga kanceri.

Përveç punës dhe mësimit dhe aktiviteteve humanitare për t‘i ndihmuar fëmijët e sëmurë, ajo tashmë ka filluar edhe një rrugë të re, dhe me plot besim thotë se do të mundohet që në këto katër vjet të bëjë diçka për banorët e Glattbrugg-ut.

Visar Kryeziu

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriQëndresa Sadriu
  • Vendi ku vepron:Glattbrugg-Zvicër
  • Profesioni:Politikane

  WHO’S WHO të tjera