Kulturë

Who`s Elektra 

Grup muzikor

Takimin e lëmë në një shtëpi jashtë qytetit të Lucernit, ku është vendosur një studio moderne për prodhimin e muzikës. Në ambientet rreth studios, krahas producentit, teknikëve dhe të tjerëve, është pothuaj e gjithë familja Berisha, me prejardhje nga komuna e Klinës. Bardheci, krijues letrar dhe e bija, Roza, studente, janë përfshirë nga ethet e pasionit të Bujar e Besart Berishës, themelues dhe pjesë e rok grupit “Who`s Electra”.

Në fillim të vitit që po e lëmë pas, në një konkurs të shpallur nga institucionet e Lucernit për rok grupet e reja, ndër dy më të mirët doli  “Who`s Elektra”. Si shpërblim, rok grupi që përbëhet nga dy shqiptarë dhe një zviceran, fitoi mundësinë për të incizuar në një studio profesionale. Kjo i solli vëllezërit Bujar e Besart Berisha dhe kolegun e tyre Julian Wettach në kontakt me producentin zviceran  të njohur në botë  Roli Mosiman (ka punuar me “The The”, “Faith No More” etj.). Ky do të ishte producenti që do të kujdesej për realizimin e albumit të planifikuar të grupit të ri.

Por këtu nuk fillon rrëfimi për lidhjen e Bujarit dhe të Besit me muzikën rok. Ata, bashkë me dy moshatarë zviceranë, patën themeluar afër 10 vite më parë, rok bendin “Manesh”. Pasues i të cilit është tash “Who`s Elektra”.

Pasioni për muzikën e rokut, ç`është e vërteta, nuk është diç që haset shpesh në mesin e të rinjve shqiptarë në Zvicër. Veprojnë këtu shumë shoqata që kultivojnë folklorin, ka dy-tre grupe xhazi të përziera, nuk mungojnë as grupet që këndojnë rap, hiphop. Siç ka edhe shumë këngëtarë e grupe të muzikës tallava ose turbo folk. Por grup shqiptar roku në Zvicër? “Defintivisht” nuk ka, do të thoshin të rinjtë këndejpari. Me ndonjë përjashtim individësh, sigurisht, si puna e Bujarit dhe Besartit, që bëjnë rok bashkë me zviceranët.

“Bendin e kemi themeluar para rreth një viti e gjysmë. Pjesë e tij jemi, Besarti, që këndon, luan me kitarë, bën aranzhmanin, bën kompozimet, unë, që i bie bas kitarës dhe Julian Wettach është baterist dhe bën edhe ndonjë tekst”, tregon Bujari, duke nënvizuar se “motori” i bendit është Besi. Ai zbulon gjithashtu se tekstet e këngëve i shkruan, pothuaj të gjitha, Roza, motra e tij, duke e bërë kështu ngapak “biznes familjar” tërë grupin.

“Për këtë kohë kemi pasur disa koncerte – jo shumë, sepse jemi të fokusuar për të nxjerrë një album së pari. Ndërsa me çmimin që kemi fituar nga qyteti i Lucernit na është mundësuar puna 6 ditë punë në studio, (mixing, production, mastering) nën mbikëqyrjen e një producenti, shton Bujari.

Gjatë korrikut grupi ka marrë pjesë pjesë në festivalin e rokut në Prizren “Ngom fest”, gjë kjo që tregon edhe lidhjet e “Who`s Elektra” me rokun shqiptar që zhvillohet në Kosovë. Ndërsa në fund të shtatorit, përmes tyre ka qëndruar në Lucern, si mysafir nga Prishtina, grupi “The Glasses”. Ky grup, krahas gjashtë grupeve të rokut, nga Zvicra dhe jashtë saj, ka marrë pjesë në festivalin “4 Kultour”, në organizim të të cilit është anëtarja “e jashtme” e bendit, Roza. Ajo thotë për albinfo.ch se grupit në fjalë i  është bërë një pritje shumë e mirë nga publiku i këtushëm.

„Gjatë koncertit salla ishte përplot me shikues. Ritmet e shpejta në kitarë dhe zëri i këngëtarit Flamur Mahmutxhiku kanë lënë përshtypje shumë të mira te publiku“

Sigurisht, edhe për grupin vendës, „Who`s Elektra“ interesimi në këtë festival ka qenë i madh. „Publiku ka dëgjuar me vemendje këngët e reja, të cilat së shpejti do të editohen në një CD. Who`s Elektra njihet si një nga grupet më të mira në Lucern, që konsiderohet se ka një potencial internacional”, thotë Roza.

“Stili ynë është një përzierje e jehonave të viteve 60-70 me elemente e rokut modern”, thotë Bujari. Ai dhe Julian, duke folur për albinfo.ch, nuk pajtohen se roku është “specie në zhdukje” siç është thënë shpesh viteve të fundit.

Pyetjes se “A është koha jonë kohë e rokut”, Bujari i përgjigjet:  “Krejt varet nga bendi. Kur ai është i mirë, nuk ka rëndësi zhanri ose stili. Ndoshta vetë cilësia e bendit e sjell sërish “në modë” një stil që ishte menduar si i zhdukur.  Por unë kam përshtypjen se roku është duke ardhur pasi që koncertet me këtë muzikë sot janë bërë më të rëndësishme se që kanë qenë dikur. Ato grupe që ia dalin të paraqiten me sukses “live” kalojnë pragun”, flet Bujari me kompetencën e njeriut që e njeh rokun si kulturë dhe filozofi. Sidoqoftë, grupe që mund të mbijetojnë nga muzika e rokut, së paku në Zvicër, është shumë e vështirë të ketë, pranojnë bashkëbiseduesit. Ato shpesh, për të mbijetuar, e devijojnë stilin duke iu nënshtruar më shumë shijes së pop muzikës.

Ndërsa producenti dhe bateristi i famshëm, Roli Mossiman thotë se është përcaktuar për të qenë producent i grupit duke u nisur nga cilësia që ka parë aty. “Më ka pëlqyer muzika e tyre. Është rok i vërtetë dhe jo ndonjë mishmash zhanresh. Ka jehonë të rokut të viteve gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë, blues, elektro të viteve 80 siç ka edhe prurje mnoderne. Por ajo që ka më shumë rëndësi për mua është se muzika e këtyre djelmoshave nuk është e kalkuluar, e ftohtë. Përkundrazi, ajo e ka emocionin brenda”, thotë Mosiman, duke i parashikuar bendit një të ardhme të ndritshme. Dhe, kjo e ardhme pritet të fillojë shumë shpejt. Editimi i CD-së së grupit është tashmë në prag.

 

 Biografi e shkurt

  • Emri MbiemriWho`s Elektra 
  • Profesioni:Grup muzikor