Sport

Xhaka asiston në fitoren e thellë të Baselit

Taulant Xhaka asistoi në fitoren e thellë të Baselit ndaj Thunit me rezultat 3:0. Ai u zëvendësua në minutën e 73-të

Taulant Xhaka vazhdon të jetë në krye të klasifikimit me skuadrën e tij të Baselit në kampionatin zviceran. Mesfushori i Kombëtares shqiptare të futbollit u bë protagonist me lojën e tij në ndeshjen e zhvilluar ndaj Thunit, shkruan albinfo.ch.

Një kros i harkuar nga Xhaka nga goditja e këndit gjeti Lang në qendër të zonës, i cili nuk e pati të vështirë të shënonte golin e avantazhit për Baselin në minutën e katërt të ndeshjes.

Miqtë dyfishuan shifrat në minutën e 13-të të lojës me anë të Nankos, ndërsa Zufi shënoi golin e sigurisë që gjashtë minuta më pas.

Tre golat e realizuar brenda 20 minutave të para të lojës nuk i lanë shumë hapësira vendasve për të përmbysur shifrat. Në këtë takim Xhaka e nisi lojën si titullar, por u zëvendësua nga Franson në minutën e 73-të të lojës.

Me këtë rezultat Baseli udhëheq Superligën zvicerane me 18 pikë në javën e gjashtë.