Futboll

Granit Xhaka

Futbollist

Njëri nga futbollistët më të mirë të kombëtares zvicerane të futbollit, Granit Xhaka ka mohuar të premten në Prishtinë, se qëllimisht e ka humbur golin kundër kombëtares së Shqipërisë në ndeshjen eliminatore për botërorin “Brazili 2014”. Ai tha se nuk e mori topin mirë dhe nuk e konkretizoi në mënyrën e duhur.

Mirëpo ai la të kuptoj se shansin që ka humbur në Zvicër do ta konkretizojë në ndeshjen kthyese në Tiranë. “Nuk e morra topin mirë. Portieri doli dhe nuk desha të lëndohesha, kjo është e tëra. Mirëpo do ta shohim në Tiranë”, tha ai para gazetarëve në Prishtinë.

“Shqipëria ka një skuadër shumë të mirë. Këtë e kemi parë në ndeshjen e parë, por megjithatë ne (Zvicra) jemi favoritë”, tha Xhaka.

Granit Xhaka, anëtari i skuadrës gjermane Borussia Monchengladbach, ka ardhur në Prishtinë bashkë me familjen e tij për t’i kaluar festat e fundvitit. Mirëpo menjëherë ai ka pasur një agjendë shumë të ngjeshur.

Ylli i bundesligës u nderua me çmimin “Ambasador nderi” nga Sporti pa kufi. Ai vizitoi selinë e organizatës franceze “Sport Sans Frontiere”, ku u prit nga ambasadorja franceze në Kosovë, Estelle Maitre.

Këtë çmim para tij e kishte marrë legjenda e futbollit franceze Lilian Thuram.

“Jam shumë i nderuar për këtë çmim. Unë do të mundohem edhe në të ardhmen që sa më mirë të prezantoj veten dhe të jem shembull i mirë për shqiptarët”, tha Xhaka, i cili gjithashtu vizitoi Klubin Futbollistik Prishtina.

Në këtë klub, Xhaka u prit nga drejtori i “KF Prishtina” Remzi Ejupi dhe nënkryetar i klubit Ahmet Kurtolli. “Jam shumë i lumtur që jam në mesin tuaj”, tha Xhaka, i cili para shumë gazetarëve kosovar foli edhe për objektivat e tij në bundesligë.

Ai tha se do të vazhdojë të luaj te Borusia  dhe do të mundohet të tregoj talentin e tij prej një futbollisti profesional. Ndërsa nuk e harroi në konferencë pa e përmendur edhe bashkëlojtarin e dikurshëm në Bazel, Xherdan Shaqirin.

“Xherdanin e kam shok dhe komunikojmë shpesh me të”, tha Xhaka, duke mos e harruar golin qi ai ua dha në ndeshjen derbi në bundesligë.

“Ishte pak vështirë pasi na dha Xherdani gol, por në fund nga një pikë ishte mirë për të dy. Në fund i ndërruam fanellat”, tregoi si me shaka Granit Xhaka.

Ndërsa Remzi Ejupi tha se Granit Xhaka është krenaria e kombit shqiptar. Ai nuk e mban emrin vetëm për vete, por për të gjithë neve tjerëve, andaj ka një barrë shumë të madhe mbi supe. Ai punon për imazhin e këtij vendi. Në këtë errësirë Graniti është një yll që shndrit kudo”, tha ndërkaq Ejupi.

21.12.2012

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriGranit Xhaka
  • Prejardhja: Basel-Zvicër
  • Vendi ku vepron:Zvicër
  • Profesioni:Futbollist

  WHO’S WHO të tjera