Sport

Xhaka: Nuk do të luaj në Olimpiadë!

"Në vend se të luaj në olimpiadë, unë do të mbetem më me dëshirë në Gladbach, të njihem me trajnerin dhe me ambientin..."

Euforia e fansave për yllin më të ri të Borussia Mönchengladbach-ut, tashmë ka filluar. Ata më të flaktit tashmë kanë siguruar fanellën me numrin 34, të lojtarit të paguar më së shtrenjti në historinë e klubit, 11 milionë franga ose 8.5 milionë euro.

Ndërkohë, futbollisti i kombëtares zvicerane nuk do t`ia dijë për presionin. Ai thotë se di të luaj futboll dhe këtë dëshiron ta dëshmojë edhe në bundesligë. “Do tu tregoj të gjithëve çfarë mundem. Me Borussia-n do të jemi në mesin e pesë më të mirëve në ligë”.

Por, Xhaka mund të ketë dëshpëruar skuadrën olimpike të Zvicrës dhe trajnerin e saj, Pierluigi Tami. “Në vend se të luaj në olimpiadë, unë do të mbetem më me dëshirë në Gladbach. Dua të njihem me trajnerin dhe ekipin, kjo ka rëndësi për mua”, ka thënë Xhaka për mediet zvicerane.

Tashti ai planifikon të gjejë një banesë. Babai, Ragipi, do të shpërngulet me të në Gjermani. “Familja ka shumë rëndësi për mua. Nëna do të na vizitojë shpesh. Por ajo duhet të kujdeset edhe për vëllanë tim, taulantin, thotë me shaka Graniti.

Trajneri i kombëtares zvicerane, Ottmar Hitzfeld ka thënë vikendin që shkoi se Xhaka është një tip sikur Schweinsteiger”. “Natyrisht, është ky nder i madh për mua”, shprehet i gëzuar Xhaka . “Unë jam pak më i rio por për nga mënyra e lojës, një tip i ngjashëm”. Nëse është kështu, Xhaka do ta dëshmojë nga kjo verë në bundesligë.