Futboll

Xhemaili si kapiten: Duhet të reagojmë menjëherë

Blerim Xhemaili është kapiten i skuadrës së Bolognas në Serie A. Ai thotë se duhet të reagojnë menjëherë pas humbjes nga Spal

Mesfushori shqiptar, Blerim Xhemaili është kapiteni i ri i Bolognas. Ai mbajti shiritin e kapitenit në ndeshjen e parë për këtë sezon të Bolognas në duel me Spal, që përfundoi me fitoren e mysafirëve 0:1, shkruan albinfo.ch.

Xhemaili pas ndeshjes ka thënë se nuk luajtën, ashtu siç kërkoi trajneri. “Jam më shumë i zemëruar sesa i zhgënjyer, sepse nuk e kemi bërë atë që ka thënë trajneri. Mbrojtja ka bërë punë të mirë dhe goli erdhi nga distanca, por është dashur të luajmë më mirë”, ka thënë pas ndeshjes mesfushori shqiptar.

Por, kjo ishte vetëm ndeshja e parë e kampionatit italian. “Duhet të përmirësohemi dhe të kuptojmë se sezoni do të jetë i vështirë. Nuk duhej të fillonte kështu. Publiku ka qenë fantastik. Ne duhet të ndryshojmë menjëherë”, theksoi kapiteni Xhemaili.