Sport

Xherdan Shaqiri, ambasadori më i mirë në Zvicër

Ambasadorët, politikanët, avokatët, sportistët shqiptarë e zviceranë flasin për Xherdan Shaqirin

“Ambasador”, “shembull më i mirë i integrimit”, “maradona shqiptare”, janë disa nga vlerësimet për futbollistin kosovar, Xherdan Shaqiri, që këtë herë vijnë nga përfaqësues të jetës politike, ambasadorë, sportistë dhe avokatë shqiptarë dhe zviceranë.

Naim Malaj, ambasador i Republikës së Kosovës në Zvicër:

“Xherdan Shaqiri pa dyshim është ambasadori më i mirë në Zvicër. Ai është shembull i mirë për bashkëmoshatarët e tij për integrim dhe shembull se çfarë faktori janë shqiptarët në Zvicër. Deri dje shqiptarët ishin krahu i punës, ndërsa sot të mendjes, të suksesshëm në politikë, sport, shkencë etj.”

Hansjörg Hassler, politikan nga BDP-PBD, Kantoni Graubünden:

“Po, unë mendoj se është shumë e mirë ajo që po bën Shaqiri. Ai është një futbollist shumë prominent, njëri ndër më të mirët në Zvicër dhe ai gëzon një njohje shumë të gjerë edhe nga popullata zvicerane. Prandaj, mendoj se është shumë mirë që njerëz të tillë janë të pranuar, edhe pse kanë prejardhje të huaj. Ata mund të bëjnë shumë për integrimin”.

Ilir Daljipi, avokat me zyrë në Cyrih:

“Shaqiri është futbollisti im i preferuar, ndërsa mes cilësive ai numëron frymën luftarake, angazhimin dhe natyrshmërinë”.

Ylefete Fanaj, deputete kantonale në Lucern:

“Entuziazmi i tij për profesionin është për ta marrë si shembull edhe për lëmenj të tjerë se si duhet shfrytëzohet energjia pozitive”.

Gerhard Pfister, politikan i CVP-PDC-së, kantoni Zug:

“Shaqiri është njëri ndër shembujt më të mirë për integrimin e suksesshëm”.

Azem Maksutaj, kick-boksieri i njohur kosovar:

“Xherdan Shaqiri është “Maradona shqiptar”. Të rinjtë shqiptarë në Zvicër ia kanë pa hairin Shaqirit dhe duhet të mburren me të, ngase deri dje kanë qenë të njohur vetëm si problematikë. Të gjithë kanë përfituar prej Xherdanit, po edhe futbollistët e tjerë shqiptarë, si: Mehmedi, Xhaka, Xhemajli etj.

Geraldine Savary, deputete federale, politikane nga Partia Social Demokrate (PS):

“Mendoj se Shaqiri është shembull i mirë i integrimit jo vetëm që bën të fitojë Zvicra, por edhe pozicionohet dhe flet për origjinën e tij. Ai tregon se si dëshiron të jetojë në Zvicër”.

Xherdan Shaqiri është lindur më 10 tetori të vitit 1991 në Gjilan të Kosovës. Vetëm një vit më vonë prindërit e Xherdanit me Arianitin dhe Erdinin vijnë në Zvicër, ku vendosen në Basel.

Shaqiri, i lindur në Kosovë, debutimin e parë si profesionist e ka bërë në moshën 17-vjeçare, kurse pas një viti ai është ftuar edhe te Përfaqësuesja e Zvicrës.

Ylli shqiptaro-zviceran i futbollit ka udhëhequr edhe ekipin U-21 të Zvicrës deri në finalen e Kampionatit evropian, që u mbajt muaj më parë në Danimarkë, ku triumfoi Përfaqësuesja e Spanjës.

Pa i përmendur çmimet e shumta, Shaqiri deri më tani me Baselin ka fituar dy tituj kampioni dhe një kupë të Zvicrës, kurse ditë më parë ishte lojtari kyç që FC Basel i Zvicrës të kualifikohet për fazën finale të Ligës së Kampionëve 2012, duke eliminuar kampionin anglez, Manchester United.