Futboll

Ylli i Kosovës kalon testet mjekësore te Lazio

Valon Berisha pritet të nënshkruajë kontratë 5-vjeçare, duke përfituar 1.5 milionë euro në vit

Njëri nga futbollistët më të mirë të Kosovës, Valon Berisha, ka bërë hapin më të madh në karrierën e tij, duke kaluar te skuadra e madhe italiane, Lazio, shkruan albinfo.ch.

Berisha të shtunën i është nënshtruar testeve mjekësore, derisa të dielën pritet të prezantohet zyrtarisht.

Që në orët e para të mëngjesit Valon Berisha i shoqëruar nga vëllai i tij, Vetoni, sulmues i Rapidit të Vjenës i është nënshtruar vizitave mjekësore për të zyrtarizuar mbylljen e këtij operacioni, kosto e të cilit detyron klubin italian të derdhë 7.5 milionë euro në arkat e klubit austriak të Red Bull Salzburg, ndërkohë që vetë lojtari do të përfitojë 1.5 milionë euro në sezon plus bonuse, për një kontratë me afat 5-vjeçar.

Mesfushori i Kosovës ishte afër kalimit Sampdorias, por në fund ka refuzuar për t’iu bashkuar Lazios, ku më meritori për këtë kalim është drejtori sportiv Igli Tare.

Ai në Lazio do të gjejë portierin kuqezi, Thomas Strakosha, si dhe mbrojtësin shqiptar të ardhur nga Betisi, Riza Durmishi.