Maqedonia

Zaev e informon Ivanovin, NATO e SHBA-ja përshëndesin marrëveshjen

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, mëngjesin e sotëm e ka informuar presidentin Gjorge Ivanov për arritjen e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

Takimi ka qenë shumë i shkurtër, Zaev ka qëndruar në Presidencë vetëm pak minuta, raportojnë mediet në Shkup. Takimi ka qenë i mbyllur për media, ndërsa që ende nuk ka ndonjë reagim nga Presidenca, përcjell albinfo.ch.

Por Departamenti i Shtetit Amerikan dhe NATO-ja e kanë përshëndetur arritjen e marrëveshjes. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetëror, Heder Nuert, ka thënë se SHBA-ja përgëzon kryeministrat e Maqedonisë dhe të Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras dhe e përgëzoi marrëveshjen historike për zgjidhjen e kontestit për emrin.

“Jemi të gatshëm ta mbështesim këtë marrëveshje, siç u kërkua prej të dyja palëve”, ka thënë ajo. Ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se marrëveshja e arritur ndërmjet Athinës dhe Shkupit për emrin i hap rrugën Maqedonisë drejt NATO-s.