Lajme

Zaev: Me albanofobi, nuk mund të ecim përpara

LSDM sot përmes një kumtese apeloi të respektohet vullneti i qytetarëve dhe të mundësohet transferim i qetë i pushtetit

Përmes albanofobisë që po përhap VMRO-DPMNE-ja, partia që drejtohet nga ish kryeministri Nikolla Gruevki, Maqedonia nuk mund të shkoj përpara. Kështu ka deklaruar kryetari i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë,  Zoran Zaev në një deklaratë për media, duke iu kundërpërgjigjur akuzave të partisë rivale VMRO.

Kjo e fundit mbrëmë vonë përmes Antonio Milloshovskit edhe njëherë ritheksoi zgjidhjen krizës përmes dy opsioneve, heqja dorë nga Platforma shqiptare dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale.

Zaev me këtë rast theksoi se edhe sikur të shkohet në zgjedhje VMRO-ja sërish do të pësoj disfatë. Ai edhe njëherë përkujtoi se nuk mban vendimi i presidentin Gjorgje Ivanov, sepse sipas tij nuk bëhet fjalë për Platformë shqiptare, por bëhet fjalë për Program qeveritarë.

Po ashtu,  LSDM sot përmes një kumtese apeloi të respektohet vullneti i qytetarëve dhe të mundësohet transferim i qetë i pushtetit përmes formimit të Komisionit për zgjedhje dhe emërime dhe vazhdim i seancës konstituive të Kuvendit në të cilën do të zgjidhet kryetari i ri Parlamentit.

“Vullneti i 700 mijë qytetarëve, i shprehur në 67 mandate duhet të respektohet. E drejtë demokratike e qytetarëve është të zgjedhin qeverinë e tyre dhe ata në zgjedhje kredibile u prononcuan për ndryshime, drejtësi dhe unitet. Republika e Maqedonisë ka shumicë parlamentare, siç parashikon Kushtetuta”, konsideron LSDM.

LSDM-ja thekson se lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski dhe presidenti i shtetit Gjorge Ivanov nuk mund të mos e respektojnë vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje.