Maqedonia

Zaev nuk brengoset për përkthimin e emrit në gjuhën shqipe

I pyetur se kush e këshilloi që emrin Maqedonia e Ilindenit të përkthehet në siç e quajti ai “Republika Ilinditase e Maqedonisë”, Zaev gishtin e drejtoi tek partnerët e koalicionit

Për kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev nuk çon pluhur mënyra si do të përkthehet në gjuhën shqipe emri i ri i Maqedonisë.

Sipas të parit të Qeverisë, më rëndësi është zgjidhja e emrit. I pyetur se kush e këshilloi që emrin Maqedonia e Ilindenit të përkthehet në siç e quajti ai “Republika Ilinditase e Maqedonisë”, Zaev gishtin e drejtoi tek partnerët e koalicionit.

“E dini që edhe në partinë time kam disa shqiptarë, por edhe në koalicion. Në fund të ditës besoj se përkthimi është më pak i rëndësishëm në krahasim me përmbajtjen. Nuk them fare e parëndësishme, por çështjet transparente për përkthim do të bëhetnnë konsultim me qëndrimin e opinionit, ekspertëve dhe do të vendoset si do të përkthehet”, është shprehur Zaev.

Nga BDI vazhdojnë të mbajnë qëndrimin se emri i propozuar në shqip është i qëndrueshëm.

Madje, zëvendëskryeministri, Bujar Osmani në rrjetin social Facebook, përmes një statusi me dhjetëra gabime drejtshkrimore akuzoi kritikuesit për mentalitet të ulët për shkak të akuzave që u drejtuan atij dhe subjektit tij për përkthimin skandaloz dhe të pakuptim të Ilindenit, përcjell albinfo.ch.

Por, sipas profesorit Xhelal Zejneli, përkthimi i tillë i emrit, paraqet bastardim të skajshëm të gjuhës shqipe.

Ai kritikon edhe qëndrimin e kryeministrit Zoran Zaev duke e quajtur veprim të pakujdesshëm pasi institucionet janë ato që duhet të mbajnë llogari për përkthimet që bëhen.

“Ky përkthim është bërë me nguti dhe në mënyrë jo të saktë. Me këtë punë duhet të merren persona të cilët e njohim gjuhën shqipe mirë. Deklarata e kryeministrit Zaev është absolutisht e papranueshme nga shqiptarët. Emri i ri i shtetit duhet të thuhet edhe në shqip dhe nuk ka asnjë shqiptar në botë që ka pranuar një emër pa përkthim aq më pak një emër me përkthim të shtrembëruar dhe të bastarduar”, deklaroi Zejneli.

Përkthimi tekstual i emrit Maqedonia e Ilindenit nxiti reagime të shumta në opinion.

Në rrjetet sociale, qytetarët ironizuan përkthimin tekstual, duke akuzuar subjektin shqiptar në pushtet për manipulim me opinionin, kujtesë e freskët për qytetarët dhe e ngjashme me atë të vitit 2014 kur partnerët e koalicionit aso kohe BDI-VMRO u morën vesh për ndryshimin e stemës shtetërore dhe vendosjen e luanit në të.

Zaev nuk tërhiqet nga emri

Zoran Zaev nuk tërhiqet nga propozimi “Republika Maqedonia e Ilindenit”, si mundësi për zgjidhjen e kontestit me Greqinë. Ky propozim nuk prek identitetin e shtetit, përkundrazi e forcon atë. “Marrim pjesë edhe do të vazhdojmë të marrim pjesë. Jemi afër. Unë besoj se mund të gjejmë zgjidhje por ju bëj me dije se flasim për paket dhe jo për pjesë të ndara. Nuk mund të pranohet ndërrimi i Kushtetutës për çfarëdo zgjidhje. Për këtë edhe pranuam të bëjmë ndryshime sepse është zgjidhje e cila nuk na nënvlerëson, ruan dinjitetin, ndërsa çështjet e identitetit janë të fiksuara dhe është për t’u vlerësuar”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

VMRO-DPMNE-ja nuk është prononcuar nëse për të është ose jo i pranueshëm versioni Republika e Maqedonisë së Ilindenit. Por ajo ka bërë qartë me dije se kundërshton ndryshimin e kushtetutës me qëllim ndryshimin e emrit. Opozita, përmes Komisionit për politikë të jashtme në Kuvend kërkoi procesverbalet e propozimit aktual.

Nga ana tjetër, opozita greke mbetet në qëndrimin se ky emër është i papranueshëm. Kirijakos Micotakis nga Demokracia e Re ka përkujtuar se Ilindeni mbetet i papranueshëm për shkak të elementeve irredentiste në të.

Deri më tani, versioni Maqedonia e Ilindenit nuk ishte pjesë opsioneve për emër të ri. Ekspertët dyshojnë se në prapavijë, ky emër që lindi nga bisedimet në Sofje e që sipas dyja qeverive është negociuar edhe më herët, mund të jetë test me të cilin qeveria maqedonase dhe ajo greke po masin pulsin e qytetarëve dhe opozitave nëse vendet janë të gatshme për zgjidhje “erga omnes.”

Pas refuzimit të propozimit “Republika Maqedonia e Ilindenit” nga pala greke, negociatorët i kthehen bisedimeve.

Më 24 dhe 25 maj, në Nju Jork do të takohen ministrat e punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocijas. Bisedimet do të mbahen në praninë e ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimic.